Willian: Do të mërzitem shumë nëse Hazardi largohet

  • 23 May 2019 - 11:49
 Willian: Do të mërzitem shumë nëse Hazardi largohet

Sulmuesi i Chelseat, Willian, e ka pranuar se do të mërzitet shumë nëse bashkëlojtari i tij, Eden Hazardi, vendos të largohet nga klubi këtë verë.

Kontrata e Eden Hazardit në Stamford Bridge do të përfundojë në fund të sezonit të ardhshëm, mirëpo mediat botërore raportojnë se ai do të transferohet në Real Madrid këtë verë për një shumë të madhe parash.

Futbollisti belg tha pas ndeshjes së fundit të sezonit të Premierligës për Chelsean se ai tashmë ka marrë vendimin për të ardhmen e tij dhe se e ka informuar klubin për këtë gjë.

Megjithatë, Chelsea do të shkojë në finale të Ligës së Evropë, që zhvillohet të mërkurën e ardhshme, kundër Arsenalit, ende pa e bërë publike të ardhmen e futbollistit të tyre.

“Është e vështirë të them ndonjë gjë për këtë situatë sepse ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Ajo që mund ta them është se nëse shkon, unë do të jem shumë i mërzitur”, ka thënë Willian.

Trajneri Maurizio Sarri shpreson se Eden Hazardi do të qëndrojë në Chelsea, mirëpo ka bërë të ditur se do ta respektojë vendimin e futbollistit belg për të ardhmen e tij, çfarëdo vendimi që të marrë ai.

“A mund të jetë finalja ndeshja e fundit e Hazardit për klubin? Nuk e di. Siç kam thënë edhe në çdo konferencë tjetër për shtyp, unë dua ta respektoj vendimin e tij”, ka thënë Sarri.

“Shpresoj se ai do të qëndrojë me ne, por ne duhet të jemi gati nëse ai vendos diçka tjetër. Gjithashtu, edhe nëse unë kam biseduar me të, nuk do të them asgjë”.

“Hazardi është i mirë për çdo skuadër, natyrisht, por ai është shumë i mirë me ne”.

Gjatë afatit kalimtar të janarit të këtij viti, Chelsea arriti marrëveshje për ta transferua Christian Pulisicin e Dortmundit për 58 milionë funte, por deri në fund të sezonit ai u huazua në Dortmund.

(Kosova Sot Online)