Mustafi: Dua ta fitoj finalen për Mkhitaryanin

  • 23 May 2019 - 12:43
Mustafi: Dua ta fitoj finalen për Mkhitaryanin

Mbrojtësi i Arsenalit, Shkodran Mustafi, thotë se është e turpshme që Henrikh Mkhitaryan nuk do të luajë në finale të Ligës së Evropës. Ai shtoi se bashkë me lojtarët e tjerë të Arsenalit do të tentojnë ta fitojnë titullin për 30-vjeçarin.

Henrikh Mkhitaryan nuk do të udhëtojë me skuadrën e tij në Baku të Azerbajxhanit për finalen e Ligës së Evropës, ku Arsenali do të përballet me Chelsean, për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tij.

Mkhitaryani do të ishte i rrezikuar për shkak të kombësisë së tij armene. Dy vendet, Azerbajxhani dhe Armenia kanë qenë në luftë për malet Nagorno-Karabakh që nga viti 1988, mirëpo ato janë në armëpushim që nga viti 1994.

Kapiteni i Arsenalit, Laurent Koscielny, ka thënë se finalja e Ligës së Evropës nuk duhej të ishte mbajtur në në Baku, pasi Mkhitaryani bëri të ditur se ai nuk do të udhëtojë me skuadrën e tij.

Edhe qendërmbrojtësi Mustafi beson se është e turpshme që bashkëlojtari i tij s’do të ketë mundësi të luajë në finale.

“Është e turpshme që ai nuk do të jetë atje, veçanërisht për shkak se ka luajtur në të gjithë rrugëtimin deri në finale. Por, skuadra jonë e ka një gjë në mendje: Duam të fitojmë për Mickin”, ka thënë Mustafi për Kicker.

UEFA pretendon se i kishte dhënë Mkhitaryanin siguri për të luajtur në finale, duke insistuar se kishin biseduar edhe me autoritet përgjegjëse në Azerbajxhan. Përkundër kësaj, Arsenali bëri të ditur se armeni s’do të udhëtojë me skuadrën.

Mkhitaryan i ka bërë gjithsej 11 paraqitje në këtë sezon të Ligës së Evropës. Në këto ndeshje, ai ka kontribuar me tri asiste.

(Kosova Sot Online)