Barcelona e varur krejtësisht nga Messi

  • 23 May 2019 - 12:56
Barcelona e varur krejtësisht nga Messi

Juan Antonio Pizzi beson se finalja e kësaj fundjave në Kupën e Mbretit do të jetë një garë e vështirë, mirëpo ai pret që Lionel Messi të jetë lojtari që e bën dallimin, pasi që beson se Barcelona varet shumë nga ai.

Barcelona dhe Valencia do të përballen të shtunën në orën 21:00 në kuadër të finales së Kupës së Mbretit.

Ish-trajneri i Kilit, Pizzi, beson se ndeshja nuk do të jetë e lehtë për asnjërën skuadër, mirëpo beson se edhe ish-lojtari i tij, Arturo Vidal, e ka një rol për ta luajtur në këtë përballje.

Marca e zhvilloi një intervistë me Pizzin dhe i dha mendimet e veta për të dy anët e kësaj finaleje.

“Nëse ju e shikoni skuadrën e Barcelonës, ata i kanë disa ndër lojtarët më të mirë në botë rreth Messit, por është e vërtetë që nganjëherë ata janë plotësisht të varur nga Messi. Ai është lojtari qendror për ta”, ka thënë Pizzi.

Gjatë kohës sa ishte trajner i ekipit kombëtar të Kilit, Pizzi u përball me detyrën për ta mbajtur Messin të heshtur në finalen e Kupës së Amerikës në vitin 2016.

“Ne e dinim se duhet të tregoheshim të kujdesshëm me të dhe kemi luajtur shumë herë kundër tyre, kështu që e dinim se si mund ta izolojmë dhe kontrollojmë atë”.

“Në finale do të fitojë ekipi që e përdor topin më mirë. E dini, edhe Arturo Vidal mund të ndihmojë. Ai e ka kaluar një sezon të shkëlqyeshëm dhe pak nga pak ai i ka bindur të gjithë me stilin e tij të lojës”.

“Por, Valencia është bërë gjithnjë më e lumtur dhe tani është kualifikuar edhe për Ligën e Kampionëve sërish, kështu që do të duan ta fitojnë edhe titullin e Kupës së Mbretit. Do të jetë një ndeshje e vështirë”.

(Kosova Sot Online)