Mkhitaryan akuzohet për mungesën në finale të Ligës së Evropës

  • 23 May 2019 - 14:05
Mkhitaryan akuzohet për mungesën në finale të Ligës së Evropës

Ambasadori i Azerbajxhanit në Angli, Tahir Taghizade, beson se vendimi i Henrikh Mkhitaryanit për të mos marrë pjesë në finalen e Ligës së Evropës është politik, pasi që thotë se sulmuesit të Arsenalit i ishte ofruar mjaftueshëm siguri në Baku.

Henrikh Mkhitaryan nuk do të udhëtojë me skuadrën e tij në Baku të Azerbajxhanit për finalen e Ligës së Evropës, ku Arsenali do të përballet me Chelsean, për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tij.

Mkhitaryani do të ishte i rrezikuar për shkak të kombësisë së tij armene. Dy vendet, Azerbajxhani dhe Armenia kanë qenë në luftë për malet Nagorno-Karabakh që nga viti 1988, mirëpo ato janë në armëpushim që nga viti 1994.

“Reagimi ynë? Fjala e duhur do të ishte zhgënjim. Natyrisht është vendimi i tij, i familjes dhe klubit të tij, por ne jemi të zhgënjyer”, ka thënë Taghizade.

“Ne e bëmë maksimumin për t’i ofruar atij siguri, si çdo personi tjetër që udhëton në Baku. A mendoj se ai po po bën deklaratë politike? Frikësohem se po”.

“Sinqerisht, jemi të shqetësuar se ajo që Mkhitaryani e ka bërë nuk ka të bëjë me kombësinë e tij apo asgjë tjetër lidhur me futbollin, por këtu ka një problem”.

“Ai e ka vizituar Nagorno-Karabakhun të paktën një herë dhe ishte vizitë e pasanksionuar. Njerëzit e tillë zakonisht futen në listën e zezë dhe nuk kanë mundësi të marrin vizë apo të udhëtojnë në Azerbajxhan”.

“Mirëpo, rasti i Mkhitaryanit është zgjidhur dhe nuk ka asnjë problem. Nuk ka asnjë problem për Azerbajxhanin që ta presë Mkhitaryanin. Në fund të fundit, është vendimi i tij”.

UEFA pretendon se i kishte dhënë Mkhitaryanin siguri për të luajtur në finale, duke insistuar se kishin biseduar edhe me autoritet përgjegjëse në Azerbajxhan. Përkundër kësaj, Arsenali bëri të ditur se armeni s’do të udhëtojë me skuadrën.

Mkhitaryan i ka bërë gjithsej 11 paraqitje në këtë sezon të Ligës së Evropës. Në këto ndeshje, ai ka kontribuar me tri asiste.

(Kosova Sot Online)