Finalja e Kupës sonte në “Fadil Vokrri”: Trepça ’89 për Evropë, Feronikeli për prestigj

  • 24 May 2019 - 09:05
Finalja e Kupës sonte në “Fadil Vokrri”: Trepça ’89 për Evropë, Feronikeli për prestigj

Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë, sonte në orën 20:45, do të jetë skena ku do të zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës, ku Feronikeli dhe Trepça ’89 do të luftojnë për trofeun.

Për të arritur deri në finale, Feronikeli e mposhti Dukagjinin me rezultat 4:0 më 9 dhjetor të vitit të kaluar, në kuadër të 1/8 të finales. Në këtë fazë, Trepça ’89 e kishte mposhtur Flamurtarin me rezultat 3:0.

Këto dy klube nuk e patën kaq të lehtë edhe kualifikimin në fazën çerekfinale, pasi që Feronikeli e mposhti Ferizajin me epërsi minimale 1:0, ndërsa Trepçës ’89 iu nevojitën gjuajtjet e penalltive për ta siguruar një vend në gjysmëfinale, pasi që koha e rregullt e ndeshjes kundër Prishtinës përfundoi me rezultat 0:0.

Në gjysmëfinale, Feronikeli triumfoi ndaj Ballkanit në të dyja ndeshjet dhe e siguroi vendin në finale me rezultat të përgjithshëm 4:1. Edhe Trepça ’89 e kaloi këtë fazë me fitore të përgjithshme 4:1 kundër Vëllaznimit.

Sonte, edhe Feronikeli, edhe Trepça ’89 do ta përfundojnë rrugëtimin e tyre në këtë garë. Përderisa që të dy klubet e kanë të njëjtin synim, ta fitojnë finalen, motivimi i tyre ndryshon. Feronikeli dëshiron ta fitojë titullin e Kupës së Kosovës për t’u bërë fuqia e dytë e futbollit kosovar.

Aktualisht, Prishtina është klubi më i trofeshëm në Kosovë, me shtatë tituj dhe katër Kupa. Besa radhitet pas kryeqytetasve, me tre tituj, tre Kupa dhe një Superkupë. Mirëpo, Feronikeli, sonte e ka mundësinë të renditet e dyta në listën e klubeve kosovare më të trofeshme.

Kjo pasi që deri më tani, klubi drenicas i ka tre tituj të kampionit, dy kupa dhe një Superkupë. Me fitoren e Kupës së Kosovës e barazon Besën, ndërsa e fiton edhe Superkupën, pasi që është vetë edhe fitues i Ipko Superligës këtë sezon.

Në anën tjetër, motivimi i Trepçës ’89 për këtë finale vjen nga synimi për të marrë hakmarrje. “Xehetarët” kanë qenë në këtë pozitë, në finale, edhe tri herë të tjera, por dy herë u mposhtën.

Në edicionin 2014/15, Trepça ’89 pësoi disfatë nga pikërisht Feronikeli, që kishte arritur ta siguronte Kupën përmes penalltive, pasi që koha e rregullt përfundoi me rezultat 1:1.

Në anën tjetër, triumfi në Kupën e Kosovës mbetet e vetmja mundësi për Trepçën ’89 që të dalë në Evropë, ndërsa Feronikeli e ka siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane përmes triumfit në Superligë.

Nëse Feronikeli e mposht sonte Trepçën ’89, atëherë Prishtina, si nënkampione në Superligë do të kualifikohet në Ligën e Evropës. Para dy sezonesh, Prishtina kishte marrë pjesë në kualifikimet e Ligës së Evropës pikërisht në këtë mënyrë, pasi Besa e kishte mposhtur Llapin në finale. 

(Kosova Sot Online)