Solskjaer: S’ka më arsyetime për Man Unitedin

  • 24 May 2019 - 11:34
Solskjaer: S’ka më arsyetime për Man Unitedin

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer thotë se Manchester Unitedi synon të kthehet më fuqishëm pas afatit kalimtar të verës dhe se nuk do të kenë më arsyetime nëse nuk arrijnë të përmirësohen nga ky sezon.

Manchester Unitedi e përfundoi këtë sezon të Premierligës në vendin e gjashtë në tabelë, pasi një fillim i dobët bëri që Jose Mourinho të shkarkohej nga pozita e trajnerit dhe në vend të tij të vinte Ole Gunnar Solskjaer.

Edhe pse “Djajtë e kuq” e filluan jashtëzakonisht mirë me trajnerin norvegjez, ata s’arritën ta mbajnë atë formë deri në fund dhe në dhjetë ndeshjet e tyre të fundit, i fituan vetëm dy.

Solskjaer beson se fundi i dobët i këtij sezoni mund të vijë si bekim i maskuar, pasi që ata tani janë më të inkurajuar të punojnë edhe më shumë për t’u përmirësuar dhe për ta kthyer skuadrën në formën më të mirë të mundshme për sezonin 2019/20.

“Kam qenë këtu vetëm për pesë muaj, por merr më shumë energji kur punon nganjëherë. Për fat të keq është e vërtetë, merr më shumë energji kur gjërat shkojnë kundër teje”, ka thënë Solskjaer.

“Ti merr më shumë energji sepse je i vendosur të kthehesh me skuadër më të mirë dhe si trajner më i mirë, t’u ndihmosh lojtarëve të përmirësohen dhe të jenë edhe më të mirë”.

“Po, është mirë të fitosh, mos më keqkuptoni. Por, kur ke një sezon si tonin, mendoj se të gjithë duan të tregojnë se çfarë mund të bëjmë sepse ata janë lojtarë krenarë dhe ne jemi trajnerë krenarë”.

“Ne s’mund ta harrojmë sezonin e kaluar. Duhet të mësojmë nga gabimet gjithashtu. Ne duam të mësojmë më shumë nga gjërat që i kemi bërë mirë. Do të ulemi dhe do t’i diskutojmë të gjitha planet me të gjithë stafin e trajnerëve dhe do të jemi gati kur të vjen 1 korriku. Nuk do të ketë arsyetime”. 

(Kosova Sot Online)