Robben zbulon pse e la Real Madridin

  • 24 May 2019 - 12:16
Robben zbulon pse e la Real Madridin

Arjen Robben thotë se politikat në Real Madrid, e jo vetëm transferimi i Cristiano Ronaldos, e kishin detyruar atë të largohet nga klubi madrilen. Mirëpo, ai shtoi se transferimi në Bayern Munich ishte vendimi më i mirë i tij në karrierë.

Anësori 35-vjeçar do t’i japë fund karrierës së tij dhjetëvjeçare në Bayern Munich, pasi kampioni i Bundesligës ta zhvillojë finalen e 25 majit të Kupës së Gjermanisë, DFB-Pokal, kundër Leipzigut.

Këto dhjetë vjet kanë qenë mjaft të suksesshme për Robbenin, pasi që ai ka marrë pjesë në shtatë triumfe në Bundesliga, së bashku me katër triumfe në DFB Pokal dhe një në Ligën e Kampionëve, në vitin 2013.

Por, bashkimi i Robbenit dhe Bayernit mund të mos kishte ndodhur kurrë nëse gjërat do të kishin ndryshuar sadopak në Real Madrid, gjatë verës së vitit 2009.

Robbeni kishte shkëlqyer në Bernabeu gjatë dy sezoneve të fundit, mirëpo kthimi i Florentino Perezit te “Los Blancos” kishte sjellë një revolucion në skuadër, përfshirë këtu edhe transferimin e Cristiano Ronaldo nga Manchester Unitedi për një shumë që atëherë e theu rekordin.

Robbeni ishte pjesë e atij grupi të cilit iu tregua dera e largimit nga Real Madridi, mirëpo ai insiston se nuk kishte shumë gjëra që ai kishte mundur t’i bënte për ta ndryshuar një vendim, që sipas tij nuk kishte të bëjë vetëm me futbollin.

“U bë e vështirë për mua pasi që edhe presidenti i Real Madridit u ndërrua. Në fakt, unë ndihesha shumë rehat atje dhe luaja shumë mirë. Por, kur erdhën në fjalë politikat dhe ty nuk të ofrohet një mundësi e vërtetë, atëherë ti duhet ta marrësh një vendim nëse dëshiron të vazhdosh të luftosh apo ta vazhdosh karrierën diku tjetër”, ka thënë Robben.

“Nuk ishte vetëm për shkak të Ronaldos. Perezi u kthye si presidenti i klubit. AI pastaj e bleu Ronaldon, por edhe Kakan, Karim Benzeman dhe Xabi Alonson. Reali shpenzoi aq shumë para dhe neve na u tha se ata kishim nevojë për para që t’i mbështesin këto transferime”.

“Për mua, ishte e turpshme sepse e kisha një marrëdhënie shumë të mirë me trajnerin e atëhershëm, Manuel Pellegrinin. Për më tepër, unë ndoshta e pata turneun më të mirë parasezonal në karrierën time”.

(Kosova Sot Online)