Bombë nga Italia, ja data kur prezantohet Guardiola te Juventusi

  • 24 May 2019 - 13:35
Bombë nga Italia, ja data kur prezantohet Guardiola te Juventusi

“Juventus dhe Pep Guardiola kanë gjetur një akord total që do ta mbajë të lidhur trajnerin spanjoll me bardhezinjtë për katër vite (skadenca 30 qershor 2023), me një pagë prej 24 milionë eurosh neto në sezon”.

Është ky lajmi bombastik që ofroi dje Agjencia e Shtypit Italian (AGI), një organ i themeluar në vitin 1950 dhe që shihet si ndër më të besueshmit në Gadishullin Apenin dhe jo vetëm.

Dhe sigurisht që organet e tjera mediatike italiane nuk kanë vonuar që ta shpërndajnë menjëherë këtë bombë merkatoje, madje jehona ka shkuar deri në ishullin britanik dhe më pas në të gjithë botën, duke shkaktuar një reagim të fortë, sidomos në rangjet e skuadrës kampione të Premier Ligës në fuqi.

Image

Ndërsa Pep Guardiola prej tri ditësh është në Abu Dabi (Emiratet e Bashkuara Arabe), për disa ditë pushime, por njëkohësisht edhe për të marrë pjesë në një turne golfi për bamirësi, AGI dhe investigimi i tyre në lidhje me akordin e mundshëm mes trajnerit spanjoll dhe “Zonjës së Vjetër” nuk ndalet vetëm te shifrat e kontratës mes palëve. Përkundrazi, ata shkojnë edhe më tej duke bërë publike (gjithmonë sipas tyre) edhe datën e firmës mes të dyja palëve, por garantojnë edhe për ditën e prezantimit në selinë juventine, konkretisht:

“Pep Guardiola do të hedhë firmën e tij në kontratën me Juventusin më 4 qershor, ndërsa dhjetë ditë më vonë, konkretisht më 14 qershor, do të vijë edhe prezantimi zyrtar përpara medias”. Si për t’i forcuar edhe më shumë këta zëra, lidhet edhe fakti se katër ditë më parë, klubi i Juventusit, me anë të një shkrese zyrtare, kishte lajmëruar se “Allianz Stadium” do të jetë i mbyllur në datën 14 qershor, për çdo vizitor të mundshëm. Në shpjegimin e ofruar nga klubi bardhezi nënvizohej vetëm se bëhej fjalë për “një event të madh komercial”.

Por duke u nisur edhe nga lajmi që ofroi Agjencia e Shtypit Italian ditën e djeshme, thrilleri “Guardiola-Juventus” bëhet edhe më drithërues, duke qenë se të paktën nga ana e trajnerit spanjoll, por mbi të gjitha as nga klubi kampion Italie, nuk ka ardhur asnjë përgënjeshtrim zyrtar.

Sidomos nga selia Juventusit heshtja ka qenë totale, ndërsa dje është lajmëruar gjithashtu se pas lajmit se ndoshta ka një akord mes bardhezinjve dhe Guardiolës, marka “Juventus” ka fluturuar në bursë.

(Kosova Sot Online)