Acarohen tek Real Madrid, qëndrim ndaj Pochettino: Ka gënjyer!

  • 24 May 2019 - 14:27
Acarohen tek Real Madrid, qëndrim ndaj Pochettino: Ka gënjyer!

Në një intervistë për “Radio Marca” trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino tha se i kishte kërkuar presidentit të Real Madridit, Florentino Perez që të përdornin shërbimet që ofron qendra stërvitore Valdebebas, për sa kohë ishin aty, por sipas argjentinasit, Perez i ka thënë se nuk mund të përdorin ambientet e tyre për të fjetur skuadra londineze.

Duke marrë shkas nga kjo deklaratë klubi madrilen ka dalë në një qëndrim zyrtar, ku konfirmoi se në bazë të marrëveshjes së bërë me UEFA-n dhe klubet e Atetico Madrid, Tottenham Hotspur dhe Liverpool kanë vënë në dispozicion ambientet e tyre të qendrës stërvitore, por në asnjë moment klubi i Tottenham nuk ka kërkuar që të akomodohen në Valdebebas dhe Perez nuk ka dhënë kurrë një përgjigje të tillë.

Për më tepër që marrëveshja me UEFA-n konsiston vetëm në përdorimin e qendrës stërvitore (fushës dhe dhomave të ndërrimit) dhe jo ambientet e brendshme dhe akomodimin.

Deklarata e plotë e klubit madrilen:

"Real Madrid është i befasuar nga deklaratat e bëra nga trajneri i Tottenham Hotspur, Mauricio Pochettino, për një kërkesë të supozuar të bërë në klubin tonë në mënyrë që ekipi i tij të mund të qëndrojë në rezidencën e Real Madridit me rastin e finales së Champions League.

Real Madrid dëshiron ta bëjë të qartë se është plotësisht e rreme që kjo kërkesë është bërë. Klubi ynë gjithmonë ka treguar disponueshmërinë e tij absolute për të përmbushur të gjitha kërkesat e bëra nga UEFA, Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit, Atlético Madrid, Liverpool FC dhe Tottenham Hotspur.

Të gjitha kërkesat e paraqitura tek Real Madridi kanë referuar vetëm dhe ekskluzivisht në përdorimin e kampeve të trajnimit të qendrës stërvitore tët Real Madridit dhe dhomave të ndërrimit. Dhe të gjitha ato janë dhënë nga klubi ynë.

Kështu, Liverpool planifikon të stërvitet në ambientet tona të shtunën, më 1 qershor në mëngjes. Tottenham, nga ana e tyre, do ta bëjë këtë të enjten, 30 maj dhe të premten, 31 maj.

Real Madrid gjithashtu dëshiron të theksojë se akomodimi i skuadrave finaliste të Champions League është caktuar nga UEFA sipas kritereve të organizimit dhe sigurisë. Dhe se në asnjë kohë nuk është kërkuar klubi ynë që këto skuadra të mund të vendosen në objektet e qendrës stërvitore të Real Madridit."

(Kosova Sot Online)