Ramosi e mendon largimin nga Real Madridi këtë verë

  • 24 May 2019 - 14:48
Ramosi e mendon largimin nga Real Madridi këtë verë

E ardhmja nuk është e qartë për Sergio Ramos dhe kapiteni i Real Madridit është duke e shqyrtuar mundësinë ta vazhdojë karrierën e tij si futbollist profesionist larg “Santiago Bernabeut”.

“Los Blancos” e shijuan një sezon jo edhe aq të këndshëm dhe kapiteni spanjoll ka mbetur në mendime për të ardhmen e tij në futboll dhe është duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë.

“El Chiringuito” dhe Marca raportojnë se Ramosi është duke menduar seriozisht për mundësinë që të largohet nga klubi madrilen. Ai dëshiron që ta vazhdojë karrierën te ndonjë tjetër klub evropian.

Manchester Unitedi dhe Paris Saint-Germaini janë interesuar për situatën e tij, mirëpo deri më tani përgjigja ka qenë gjithmonë negative për këto dy klube. Por, gjërat kanë ndryshuar dhe Ramosi mund ta ndryshojë përgjigjen e tij për këto dy klube.

Drejtuesit e Real Madridit janë të vetëdijshëm për këtë situatë, mirëpo deri më tani nuk kanë kontaktuar as me Ramosin e as më ndonjë përfaqësues të tij.

Ramosi është për momentin jashtë skuadrës së Kombëtares së Spanjës për shkak të një lëndimi, që e kishte mbajtur jashtë fushës së blertë edhe për shtatë ndeshjet e fundit të La Ligës.

(Kosova Sot Online)