Kosova pa 3 mesfushorët kryesorë për ndeshjet kualifikuese të qershorit

  • 26 May 2019 - 09:42
Kosova pa 3 mesfushorët kryesorë për ndeshjet kualifikuese të qershorit

Bernard Challandes përballet me kokëçarje para dy ndeshjeve kualifikuese për Kampionat Evropian 2020 të Kosovës në muajin qershor, për shkak se nuk do të mundë të llogarisë në disa prej mesfushorëve kryesorë të skuadrës.

Trajneri zviceran tani dyshohet ta ketë humbur edhe Herolind Shalën, i cili u dëmtua të premten në stërvitje para ndeshjes së skuadrës së tij Valerenga kundër Lillestrom në Norvegji

Kosova do të udhëtojë drejt Malit të Zi më 7 qershor për t’u ndeshur me Kombëtaren malazeze në ndeshjen e dytë kualifikuese për EURO 2020, para se ta vizitojë Bullgarinë vetëm tri ditë më vonë. Verdhekaltrit kishin barazuar 1:1 me Bullgarinë në ndeshjen e parë të tyre kualifikuese për Kampionat Evropian në stadiumin Fadil Vokrri në mars.  

Kombëtarja kosovare përballet tashmë me mungesën e Valon Berishës së Lazios dhe Hekuran Kryeziut të Zurich, të cilët janë duke u rikuperuar nga lëndime të rënda dhe nuk ishin ftuar fare nga Challandes.  

Por, listës së lënduarve tanimë i është shtuar edhe Shala, i cili është në listën e të ftuarve të Challandes.

27-vjeçari është dëmtuar në stërvitje me skuadrën e tij të premten. Ende nuk dihet shkalla dhe seriozitetit i lëndimit të tij, por dyshohet se ai do t’i humbasë të dy ndeshjet e qershorit.

Duke qenë se Kryeziu dhe Shala kanë qenë shtylla e mesfushës qendrore në ecurinë e përkryer pa humbje të Kosovës në Ligën e Kombeve dhe në ndeshjet pasuese, dhe mungesa e Berishës po ashtu, Challandes duhet të mendojë për një mesfushë plotësisht të re.

(Kosova Sot Online)