Piatek përpara rekordit absolut!

  • 26 May 2019 - 14:39
Piatek përpara rekordit absolut!

Pasi është rikthyer te goli javën e shkuar, Piatek ka edhe 90 minuta për të vendosur një rekord historik në kampionatin italian. Mundësia do të jetë në Ferrara, përballë SPAL-it, ndeshja e fundit e sezonit.

Sulmuesi polak, që ka mbërritur deri tani në 30 gola sezonalë, kërkon golin e dhjetë me fanellën e Milanit në Serie A, pas 13 që ka shënuar me fanellën e Genoas: nëse shkon me dy shifra edhe me kuqezinjtë, atëherë do të futej në histori, si sulmuesi i parë që e realizon këtë gjë, me dy skuadra të ndryshme brenda një sezoni.

Sakaq, do të barazohej në Evropë edhe me Aubameyang, që la Borussia Dortmund për Arsenalin në merkaton e janarit 2018, duke shënuar edhe në Londër 10 gola, pasi kishte realizuar 13 me verdhezinjtë.

Nëse shënon dy gola ndaj SPAL, sakaq, arrin Shevchenkon që në sezonin debutues me Milanin shënoi 24 gola, duke mbërritur nga një kampionat tjetër, ndërsa më larg duket Ronaldo "Fenomeni", me 25 gola me Interin.

(Kosova Sot Online)