E mbylli sezonin me 1 trofe, 5 arsyet pse Barcelona dështoi të fitonte ‘tripletën’

  • 26 May 2019 - 17:42
E mbylli sezonin me 1 trofe, 5 arsyet pse Barcelona dështoi të fitonte ‘tripletën’

Barcelona, deri fare pak kohë më parë, mendohej se po e mbyllte sezonin me një bilanc fantastik. Pasi siguroi titullin në La Liga, konsiderohej favorite për të triumfuar në Champions dhe as që mendohej që do të dështonte në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Valencias, ku humbi 2-1.

“El Mundo Deportivo”, në analizën që i bën dështimit të Barcelonës për të fituar “tripletën”, rendit 5 arsyet kryesore që çuan në këtë rënie ta pashpjegueshme në ndeshjet e fundit.

1 – Varësia nga Messi

Lionel Messi shënoi 36 gola në La Liga, duke lënë pas me diferencë rivalët e tjerë për çmimin e golashënuesit më të mirë në La Liga. Falë finalizimeve të “Pleshtit”, Barcelona fitoi shumë javë para fundit titullin kampion në Spanjë. Edhe pse konsiderohet futbollisti më i mirë i historisë dhe ka fituar 6 herë “Këpucën e Artë” në Europë, nuk mund ta tërheqë gjithmonë i vetëm “qerren”. Me dëmtimin e Suarezit, që më shumë e ka mendjen te Copa America dhe me Dembelenë jashtë po për arsye fizike, argjentinasi i gjen di vetëm para murit të Valencias. Megjithatë arriti të shënojë një gol dhe të vërë në vështirësi portierin në disa raste të tjera. Nuk mjaftoi i vetëm në sulm për të mposhtur Valencian.

2- Coutinho, hija e vetvetes

U transferua në janar të 2018-ës te Barcelona dhe brenda një kohe të shkurtër u shndërrua golashënuesi i tretë më i i mirë i skuadrës sezonin e kaluar. Por në momentet kur duhej të merrte më shumë përgjegjësi, gjatë sezonit aktual, nuk u shfaq në versionin e tij më të mirë. Ndoshta edhe për faktin që Valverde nuk po e aktivizon në pozicionin e tij natyral, duke e zhvendosur në anësore. Për arsye fizike apo psikologjike, braziliani ka dhënë shumë më pak nga ç’pritej prej tij.

3 – Mbrojtësit anësorë

Që nga largimi i Dani Alvesit në verë të vitit 2016, Barcelona nuk e ka zgjidhur problemin në krahun e djathtë të mbrojtjes. Semedo është i shpejtë, por nuk ka rrezikshmërinë e Alvesit në metrat e fundit, ndërsa Sergi Roberto vuan në fazën difensive dhe nuk është vendimtar në sulm. Sa i përket krahut të majtë, Jordi Alba nuk ka konkurrencë në këtë pozicion. E nisi sezonin me shumë bujë, por e përfundoi me shumë gabime, si në ndeshjen e kthimit me Liverpoolin, ku kishte përgjegjësi në 3 nga 4 golat e “The Reds”. Gjithashtu nuk është pa përgjegjësi edhe në golin e dytë të Valencia, me Carlo Soler që i shpëtoi mbulimit të tij.

4 – Mbrojtje e brishtë

Në fillim të sezonit, Barcelona pësonte gola të thjeshtë, mirëpo pak e nga pak, përgjatë sezonit, e rregulloi këtë aspekt. Gjithsesi, në momentin vendimtar, nxori në pah të njëjtat dobësi. Në pjesën e parë të finales së Kupës së Mbretit, mjaftuan dy momente shpërqendrimi për të pësuar dy gola.

5 – Rotacioni nuk funksionoi

Ernest Valverde u duk se kishte mësuar nga gabimet e sezonit të kaluar, sidomos nga disfata e Romës, në Champions, që ishte një njollë turpi. Ai shfrytëzoi faktin që e kishte fituar më parë kampionatin, duke lënë pushim “senatorët”, për t’i patur në gjendje optimale për finalet e sezonit. Megjithatë, “blaugranat” ranë shumë fizikisht në ndeshjet e fundit, që ishin edhe vendimtare. Liverpooli arriti të përmbyste humbjen që kishte pësuar në “Camp Nou” (3-0) sepse lojtarët e skuadrës angleze dhanë gjithçka në fushë. Duke përjashtuar portierin Ter Stegen, të gjithë futbollistët e boshtit të Barcelonës janë mbi 30-vjeç. Përveç kësaj, në lojëra të rëndësishme Valverde ka “mëkatuar” për shkak të mungesës së lidershipit. Në përpjekje për të ndryshuar drejtimin e takimit, kur gjërat nuk kanë shkuar si duhet, ai ka gabuar.

(Kosova Sot Online)