Zekaj krenar që e la Serbinë dhe e zgjodhi Kosovën

  • 27 maj 2019 - 15:22
Zekaj krenar që e la Serbinë dhe e zgjodhi Kosovën

Arton Zekaj thotë se është krenar që ka vendosur ta braktisë Serbinë për Kosovën, fanellën e së cilës do ta bartë në arenën ndërkombëtare, pasi të hënën u pajis me pasaportë kosovare.

Futbollisti i lindur në Suboticë, Arton Zekaj, aktualisht është pjesë e klubi elitar francez, Lille, por që si futbollist u rrit në akademinë e Partizanit të Beogradit, e ku falë talentit të tij ishte edhe pjesë e Përfaqësueses së Serbisë për grupmoshat U15, U16 dhe U17.

Megjithatë, mundësia për ta përfaqësuar Kosovën dhe dëshira e madhe e familjes për ta veshur fanellën e Dardanëve bëri që ai të veprojë menjëherë dhe tash e tutje të jetë pjesë e Kombëtares U21. Artoni, sot, ishte për vizitë në FFK, ku pas takimit me presidentin Agim Ademi

“Për mua është krenari e madhe që e kam zgjedhur Kosovën dhe që do ta veshë këtë fanellë, pasi në këtë mënyrë do t’i bëj krenar prindërit e mi, familjen time dhe krejt popullin e Kosovës, e gjithashtu edhe një njeri të madh që më nuk është në mesin tonë – legjendën, Fadil Vokrri”, ka theksuar Zekaj.

Ai ishte paraparë të debutonte në ndeshjet e qershorit për kualifikimet e Evropianit 2021 me Kombëtaren U21 kundër Andorës dhe Turqisë, por një lëndim i pësuar së fundmi ka bërë që debutimi i tij të shtyhet për në shtator.

“Të ardhmen çdo herë duhet ta shikoj për të arritur majat në futboll, qoftë në nivel klubesh, qoftë në nivel të kombëtareve. Normalisht, të gjithë lojtarët kanë dëshirë për të luajtur për Kombëtaren e parë, por hap pas hapi, lojë pas loje do të shohim si do të ecën gjërat. Mua më mbetet që t’i tregoj cilësitë e mia dhe te Kombëtarja U21 do të jap maksimumin tim, pastaj janë trajnerët ata që vendosin”, ka shtuar Zekaj.

Tutje Artoni ka bërë të ditur se i ka ndjekur me entuziazëm të madh të gjitha ndeshjet e Kombëtares A të Kosovës dhe beson në suksesin e saj.

“I kam shikuar të gjitha ndeshjet e Kosovës dhe jam shumë i lumtur me lojërat dhe rezultatet që i kanë treguar djemtë tanë. Ajo që më pëlqen më shumë te Kosova është fakti që të gjithë luajnë si grup dhe që luajnë me zemër, derisa tifozët janë fantastik. Me një fjalë krejt populli është përkrah ekipit kombëtar. Pres që do të arrijmë të kualifikohemi në Evropian, por mbetet të shohim si do të shkojnë gjërat”, ka nënvizuar Zekaj.

Ai është pjesë e skuadrës franceze Lille, e cila në edicionin e ri do të luajë në Ligën e Kampionëve. Artoni ka arritur të bëhet pjesë e 18-shes bazë, ku edhe ka regjistruar debutimin në fanellën e kësaj skuadre kundër Rennes.

“Në edicionin e ri do të jemi edhe në Ligën e Kampionëve dhe jam shumë i entuziazmuar për këtë fakt. Konkurrenca çdo herë është shumë e fortë, por unë jam më i riu në ekip dhe duhet të punoj shumë për ta treguar veten që ta siguroj vendin në ekip. Gjithsesi, tash për tash kryesorja është që të rehabilitohem sa më shpejtë nga lëndimi dhe të rikthehem me 100 qind të forcës në stërvitje”, është shprehur Zekaj.

(Kosova Sot Online)