Ramos: Më lejoni të shkoj në Kinë

  • 27 May 2019 - 16:40
Ramos: Më lejoni të shkoj në Kinë

Ylli i Real Madridit Sergio Ramos i ka kërkuar drejtuesve të klubit ta lejojë atë të shkojë në Kinë si lojtar i lirë, raportojnë media të ndryshme spanjolle.

Sipas kanalit televiziv “La Sexta”, qendërmbrojtësi 33-vjeçar e ka informuar klubin se ka marrë një ofertë shumë atraktive në aspektin ekonomik nga një klub i Superligës kineze.

Raportohet se Ramosi kishte mbajtur takim me presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, bashkë me vëllain e vet Rene dhe përfaqësuesin Julio Senn.

Mediat lokale shkruajnë se marrëdhëniet mes Ramosit dhe Perezit janë tensionuar pas eliminimit të Real Madridit nga Liga e Kampionëve në muajin mars.

Ramos i ka shënuar 84 gola në 606 paraqitje për Real Madridin në të gjitha garat. Ai i kaluar plot 14 vjet në klub që prej transferimit nga Sevilla.

Kapiteni i Spanjës i ka fituar 20 trofe me Real Madridin, përfshirë tre në La Liga dhe katër në Ligën e Kampionëve.

(Kosova Sot Online)