Al Khelaifi akuzohet se ka paguar ryshfet për Botërorin

  • 27 May 2019 - 17:42
Al Khelaifi akuzohet se ka paguar ryshfet për Botërorin

Një gjykatës francez ka ngritur akuza në adresë të presidentit të Paris Saint Germanin, Nasser Al-Khelaifi. Akuzat janë për korrupsion, pasi presidenti i PSG-së ka paguar ryshfet që Katari të organizojë Kampionatin Botëror të Atletikës. Bëhet fjalë për botërorin e sportit të “mbretëreshës” që do të zhvillohet këtë vit në Katar.

Mësohet se Khelaifi, president edhe i Qatar TV dhe BeIn Sports, është nën hetim që nga marsi. Ai akuzohet se ka paguar nën dorë shumën e 3.5 milionë dollarëve në vitin 2011. Pagesa është bërë përmes “Oryx Qatar Sports” (kompania që menaxhon dy televizonet) në llogarinë e djalit të Lamine Diack, ish-presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Atletikës (IAAF).

Avokatët e Al-Khelaifi kanë hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se në atë periudhë (2011), presidenti i PSG-së nuk ka patur lidhje me dy televizionet e akuzuara për ryshfet. Lamine Diack, tashmë 85 vjeç, është akuzuar prej kohësh për korrupsion (në vitet 1999-2015 ka qenë president i IAAF-it) dhe për djalin e tij ka dalë një urdhër arresti.

(Kosova Sot Online)