E konfirmon Perezi, Ramosi e kërkoi largimin nga Real Madridi

  • 28 May 2019 - 12:18
E konfirmon Perezi, Ramosi e kërkoi largimin nga Real Madridi

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka zbuluar se kapiteni i klubit madrilen, Sergio Ramos, ka kërkuar që të largohet nga klubi si transferim i lirë, për t’iu bashkuar një klubi kinez.

Florentino Perez tha se Sergio Ramosi dhe menaxheri i tij i filluan bisedimet me Real Madridin me pretendimin se kishin marrë një ofertë shumë të mirë nga Kina, por ai shtoi se “Los Blancos” e refuzuan kërkesën e mbrojtësit.

“Ata [Ramosi dhe menaxheri i tij] erdhën të më shihnin në zyrë dhe më thanë se kishin marrë ofertë shumë të mirë nga Kina, mirëpo rregullat e ligës atje nuk do ta lejonin klubin ta paguajë çmimin e transferimit”, ka thënë Perezi për radiostacionin Onda Cero.

“Çfarë mund t’i thosha unë atij? Ne i thamë se një gjë e tillë s’mund të ndodhë, por se ne do të bisedonim me klubin për t’ia bërë atij qejfin. I thamë që Real Madridi nuk mund ta përballojë largimin e kapitenit për falas, pasi që një gjë e tillë do të vendoste precedent i tmerrshëm për lojtarët e tjerë”.

Mbrojtësi 33-vjeçar, i cili është lojtari me më së shumti përvojë në skuadrën e Madridit, i ka fituar katër tituj të Ligës së Kampionëve, mirëpo është fajësuar për eliminimin nga Liga e Kampionëve këtë sezon.

Ramos ka fituar 20 trofe gjatë 14 sezoneve në Madrid. Ka shënuar 84 gola dhe ka bërë 606 paraqitje në të gjitha garat.

(Kosova Sot Online)