Reja paralajmëron kuqezinjtë: Do të godas fort me bastun kur dikush s’i zbaton rregullat

  • 28 May 2019 - 14:17
Reja paralajmëron kuqezinjtë: Do të godas fort me bastun kur dikush s’i zbaton rregullat

Trajneri i ri i Shqipërisë, Edy Reja, i ka paralajmëruar lojtarët e tij se përkundër që është demokratik, kur futbollistët nuk i zbatojë rregullat, ai do të godasë fort me bastunin e tij.

Në muajin qershor, Shqipëria do t’i zhvillojë dy ndeshje në kuadër të Grupit H të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Kuqezinjtë së pari do ta vizitojnë Islandën më 8 qershor, ndërsa vetëm tri ditë më vonë do ta presin Moldavinë në shtëpi. Ndeshja e dytë do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” pasi që “Arena Kombëtare” nuk është ende gati.

Pasi e publikoi listën e lojtarëve të ftuar për këto dy ndeshje, në konferencën për shtyp, Reja zbuloi sa ka folur me ish-trajnerin Gianni De Biasin, ndërsa e ka komentuar edhe fatin e paraardhësit të tij, Christian Panuccit.

“Kam folur dhe me De Biasin disa herë dhe kam marrë gjëra pozitive. Panucci nuk kishte shumë fat me rezultate, por mendoj se është munduar për mirë. Diktator? Nuk e di. Jam më demokratik dhe më pas kush nuk i zbaton rregullat… Nuk do e përdor bastunin shpesh, por kur duhet do të godas fort. Dua të krijoj një impakt pozitiv dhe jo të prish energjinë”, ka thënë Reja.

“Do të flas me lojtarët dhe do t’i pyes. Kur të zbresin në fushë dua që ata të japin maksimumin. Punoj me shumë lojtarë dhe do të shohim. Duhet të kemi lojtarët e duhur për të zbatuar skemat e lojës. E rëndësishme është të kesh lojtarë, pasi nuk mund të shkosh në luftë pa fishekë”. 

Kjo është hera e parë që Edy Reja do të takohet me skuadrën e Shqipërisë, pasi që ai e mori pozitën e trajnerit vetëm më 17 prill të këtij viti, pas shkarkimit të bashkëkombësit të tij, Christian Panuccit.

(Kosova Sot Online)