Mesazhi i Hadërgjonajt për “Dardanët” para ndeshjeve për EURO 2020

  • 28 May 2019 - 14:19
Mesazhi i Hadërgjonajt për “Dardanët” para ndeshjeve për EURO 2020

Florent Hadërgjonaj e veshi sot për herë të parë fanellën e Kosovës, pasi u takua me kryesuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës. Gjatë këtij takimi, ai e shprehu një mesazh për tifozët e Kombëtares së Kosovës.

Më 9 maj të këtij viti, Federata e Futbollit të Kosovës bëri të ditur se Florent Hadërgjonaj i është bashkuar skuadrës së Kosovës dhe do të luajë me fanellën e “Dardanëve” qysh nga ndeshjet e qershorit.

Hadërgjonaj, i cili luan për Huddersfieldin, erdhi në Kosovë para se të fillonte grumbullimi i lojtarëve, më 2 qershor, pasi që tha se dëshironte të fillonte të përshtatej sa më shpejt. “Dardanët” e pritën atë krahëhapur dhe 24-vjeçari u shpreh shumë i lumtur për këtë gjë.

“Dua t’i falënderoj tifozët ‘Dardanët’ për mënyrën se si më pritën sot. Ishte një ndjenjë shumë e veçantë dhe më dha shumë emocion. Kur tifozët të presin para zyrës dhe ta thërrasin emrin kjo besoj që është një ndjenjë që nuk mund të përjetohet gjithkund”, ka thënë Hadërgjonaj.

“Mesazhi për tifozët është që të na ndihmojnë sa më shumë dhe të jenë gjithmonë përkrah nesh. Ne do të luajmë për ata dhe do të mundohemi të bëjmë lojë sa më të mira. Pra, duhet të funksionojmë si grup i bashkuar”.

“Kur ne luajmë mirë dhe marrim rezultate pozitive sigurisht se merita kanë edhe tifozët, sepse nëse nuk do të ishin ata me brohoritjet e tyre për 90 minuta nuk do të ishte e lehtë të jepnim më të mirën tonë”.

Ekipi kombëtar i Kosovës do të grumbullohet më 2 qershor për t’i filluar përgatitjet për dy ndeshjet e radhës, kundër Malit të Zi më 7 qershor dhe kundër Bullgarisë më 10 qershor. Këto ndeshje do të zhvillohet në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për EURO 2020.

(Kosova Sot Online)