Mënyra se si Messi mund ta shpëtojë Valverden

  • 28 May 2019 - 15:02
Mënyra se si Messi mund ta shpëtojë Valverden

Kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, besohet se është i vetmi person i cili mund ta shpëtojë Ernesto Valverden prej shkarkimit nga pozita e trajnerit të klubit katalonas.

Ernesto Valverde, i cili u emërua trajner në Camp Nou në vitin 2017, rrezikon të shkarkohet pas disfatës tronditëse ndaj Valencias në finale të Kupës së Mbretit, të shtunën.

Përkundër që arriti ta fitojë titullin e La Ligës në dy sezonet e tij me klubin katalonas, dështimet e 55-vjeçarit në Ligën e Kampionëve mund t’ia kushtojnë atij pozitën e trajnerit. Madje, në Katalonjë raportohet se ai do të shkarkohet sot.

Megjithatë, sipas gazetarit spanjoll Eduardo Inda, Messi mund të jetë i vetmi që mund ta shpëtojë Valverden. E gjitha që Messi duhet të bëjë është të flasë në favor të trajnerit të tij aktual.

“E vetmja gjë që mund ta shpëtojë Valverden është nëse Messi e dërgon një mesazh të qartë në mbështetje të tij. Nëse Messi thotë se dëshiron që Valverde të mbetet trajnerit, ai mund të shpëtojë”, ka thënë Inda në “El Chiringuito de Jugones”.

Valverde u emërua trajner i Barcelonës më 1 korrik të vitit 2017 dhe kontrata e tij besohet se është e vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2020. Megjithatë, Barcelona mund ta gjejë një trajner të ri para kësaj date.

Dështimi i Valverdes në dy sezonet në Ligën e Kampionëve ka bërë që ai ta humbë besimin e tifozëve, por edhe të disa anëtarëve të bordit drejtues të klubit. 

(Kosova Sot Online)