Nën hetim për kurdisje ndeshja që e çoi Valencian në Champions

  • 28 May 2019 - 15:42
Nën hetim për kurdisje ndeshja që e çoi Valencian në Champions

Ndeshja e fundit e kampionatit këtë sezon në La Liga, luajtur më 18 maj, mes Valladolid e Valencia, mendohet të ketë qenë arsyeja e arrestimit të disa lojtarëve dhe ish-lojtarëve në Spanjë, skandal me përmasa të frikshme.

Lajmi është konfirmuar nga televizioni Antena 3 në Spanjë, ku zbulohet se ndeshja e fituar 2-0 nga Valencia ka përfunduar nën hetim pas sinjalizimit të La Ligas, për shkak të shifrave të jashtëzakonshme të parave luajtur në tregjet e basteve në Europë e Azi.

Sipas hetimit, marrëveshja nuk ka qenë mes klubeve, por mes lojtarëve të veçantë, që kishin rënë dakord që të përfitonin shifra të mëdha për fitoren e Valencias. Siç mund të shihet edhe nga dy videot e golave, më poshtë, në të dy rastet mbrojtja e Valladolidit ka bërë gabime fëminore.

Borja Fernández, deri atë ditë futbollist i Valladolid dhe tashmë pa ekip, është arrestuar këtë të martë.

Përmes një deklarate për shtyp, Valencia e shpall veten të pafajshme dhe pa asnjë lidhje me këtë histori, ndërsa ka kërcënuar me masa ligjore mediat që abuzojnë me lajme të tilla.

Pak a shumë të njëjtën komunikatë ka publikuar edhe Valladolid, që ka premtuar bashkëpunim të lotë me organet hetuese.

(Kosova Sot Online)