Joshua: Pa e rrahur Wilderin nuk them se ia kam dalë mbarë në boks

  • 28 May 2019 - 17:29
Joshua: Pa e rrahur Wilderin nuk them se ia kam dalë mbarë në boks

Kampioni i unifikuar i botës në boksin e kategorisë së rëndë, Anthony Joshua, ka thënë se pa e mundur Deontay Wilderin për titullin WBC nuk do të ndihet se ia ka dalë mbarë në botën e boksit.

Joshua do t’i mbrojë brezat IBF, WBA dhe WBO në debutimin e tij në SHBA më 1 qershor, në një meç në të cilin sfiduesi Ruiz Jr planifikon t’i, siç thotë, shfrytëzojë përparësitë e tij për të shkaktuar tronditje në botën e boksit.

Britaniku ka thënë për BBC se ndihet tepër energjik tashmë që ka hyrë në javën e boksit.

“Kurrë nuk jam ndier kaq energjik në një javë boksi”, tha Joshua për BBC.

Meçi i së shtunës mbrëma në Madison Square Garden nënkupton se 29-vjeçari rikthehet në ring pas plot nëntë muajve jo aktiv. Gjatë kësaj periudhe inaktiviteti bisedimet me Wilderin për një meç historik nuk kanë dhënë fryt, ku një boksier mund t’i fitojë të gjithë katër titujt në kategorinë e rëndë për herë të parë.

I pyetur nëse Nju Jorku glamuroz dhe billbordet që shfaqin emrin e tij nënkuptojnë se ai ia ka dalë në boks, Joshua tha: “Po, duket sikur ia kam dalë, por kjo do të ndodhë vetëm pasi ta kem prekur titullin e fundit me duart e mia, atëherë mund të them se ia kam dalë”.

(Kosova Sot Online)