Kurdisje në futbollin spanjoll: Arrestohen disa persona, përfshirë futbollistë

  • 28 May 2019 - 17:42
Kurdisje në futbollin spanjoll: Arrestohen disa persona, përfshirë futbollistë

Disa persona janë arrestuar gjatë një hetimi policor nën dyshimet për kurdisje të ndeshjeve në tri ligat kryesore të futbollit në Spanjë, përfshirë ish-futbollistë dhe figurat të larta të klubeve.

Policia Kombëtare e Spanjës ka thënë të martën se i ka kryer nëntë bastisje nëpër gjithë vendin në lidhje me kurdisjen e ndeshjeve, pastrimin e parave dhe grupet kriminale.

“Presim t’i bëjmë 11 arrestime, në mesin e tyre lojtarë dhe ish-lojtarë të ligës elitare, lojtarë të ligës së nivelit të dytë dhe trajnerë dhe presidentë klubesh”, ka thënë policia në një komunikatë për media.

“Përmes operacionit kemi zbuluar se ata që janë nën hetime kishin bërë marrëveshje me lojtarë të ndryshëm për t’i kurdisur të paktën tri ndeshje në divizionin e parë, dytë dhe tretë”, thuhet tutje në komunikatën e policisë.

Mediat spanjolle raportuan se në mesin e të arrestuarve janë ish-lojtari i real Madridit dhe Spanjës, Raul Bravo, presidenti i Huescas, Agustin Lasaosa, dhe disa persona të tjerë të lidhur me klubin.

La liga e ka lartësuar operacionin e policisë duke e quajtur atë dëshmi se masat kundër kurdisjeve të ndeshjeve, të vendosura para pesë vjetëve, po funksionojnë. 


(Kosova Sot Online)