Prishtina e konfirmon të ardhmen e trajnerit Josa

  • 28 May 2019 - 18:42
Prishtina e konfirmon të ardhmen e trajnerit Josa

Nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi e ka konfirmuar se trajneri Mirel Josa do të vazhdojë të jetë trajner i Prishtinës.

Muçiqi për Insportin ka deklaruar se Prishtina ka trajner dhe se i besojnë punës së Josës.

“Prishtina ka trajner. Ai është Mirel Josa”, ka thënë Muçiqi.

Ditëve të fundit ishte raportuar se Prishtina ka mbajtur një takim me trajnerin e mirënjohur, Bylbyl Sokoli për të marrë drejtimin e klubit.

Sokoli të hënën konfirmoi se kontrata e tij me KF Ferizajn ka përfunduar dhe se për momentin është pa skuadër, duke ngritur dyshimet se ai do të rikthehet te Prishtina.

Josa për vitin e dytë më radhë dështoi të shpallet kampion me Prishtinën, duke bërë që pozita e tij si trajner të lëkundet, por “bardhekaltrtit” do të vazhdojnë bashkëpunimin me strategun nga Tirana.

Prishtina përfundoi sezonin në pozitën e dytë me 75 pikë, duke humbur luftën për titull në ndeshjen e fundit kundër Feronikelit.

(Kosova Sot Online)