Carvajal kërkon nga Ramosi dhe Perezi ta qartësojnë situatën e tyre

  • 29 May 2019 - 09:18
Carvajal kërkon nga Ramosi dhe Perezi ta qartësojnë situatën e tyre

Dani Carvajal u ka kërkuar kapitenit të Real Madridit, Sergio Ramos, dhe presidentit të klubit, Florentino Perez, duhet ta qartësojnë situatën e krijuar në klub, pas deklaratave të Perezit se Ramosi ka kërkuar të largohet nga “Los Blancos”.

Florentino Perez tha të hënën se ai e ka refuzuar kërkesën e Sergio Ramosit për t’u larguar nga Real Madridi, pasi që kishte marrë ofertë nga një klub i Superligës kineze për të shkuar si transferim i lirë.

Tani, e ardhmja e mbrojtësit në Madrid duket e paqartë, pasi që Manchester Unitedi dhe Liverpooli besohet se janë të interesuar. Por, bashkëlojtarit të tij, Carvajalit, do t’i pëlqente që 33-vjeçari të mbetet në Santiago Bernabeu edhe për një tjetër sezon.

“Është normal që Ramosi të ketë ofertë dhe është logjikë që shumë klube duan t’i kenë shërbimet e tij”, ka thënë Carvajali.

“Por, presidenti dhe ai duhet ta qartësojnë këtë situatë. Do të isha shumë i lumtur nëse do ta kisha atë në Real Madrid përsëri vitin tjetër”.

Kur u pyet se ai i frikësohet largimit të Ramosit, Carvajali shtoi: “S’kam frikë, të gjithë duhet ta qartësojnë këtë situatë. Ramosi është kapiteni ynë. Kjo fjalë tashmë e definon atë”.

Ramosi ka shijuar suksese të shumta që kur u transferua në Real Madrid nga Sevilla në vitin 2005, duke i fituar katër tituj të La Ligës dhe katër tituj të Ligës së Kampionëve mes të tjerash. 

(Kosova Sot Online)