Bayerni ofron 80 milionë euro për Dybalan

  • 29 May 2019 - 12:16
Bayerni ofron 80 milionë euro për Dybalan

Bayern Munichu besohet se i ka bërë Juventusit ofertë për ta vlerë sulmuesin argjentinas, Paulo Dybalën, për 80 milionë euro gjatë afatit kalimtar të verës.

Gazeta italiane Corriere dello Sport raporton se, sipas burimeve të saja në Gjermani, kampioni i Bundesligës dëshiron t’i ketë shërbimet e Paulo Dybalas sezonin e ardhshëm dhe për ta arritur këtë qëllim klubi është i gatshëm t’i shpenzojë 80 milionë euro.

25-vjeçari konsiderohet të ketë qenë personi që e ka përjetuar më së keqi transferimin e Cristiano Ronaldos në Juventus, pasi që gjatë gjithë sezoni i ka shënuar vetëm dhjetë gola. Ky është rekordi i tij më i keq që nga sezoni 2013/14, kur garonte në Serie B me Palermon.

Megjithatë, gazeta Corriere dello Sport paralajmëron se Juventusi ende ka besim te argjentinasi dhe drejtuesit e klubit nuk janë të gatshëm ta shesin Dybalan për më pak se 100 milionë euro.

Presidenti i Bayern Munichut, Uli Hoeness, ka bërë të ditur se Bayerni është i gatshëm të shpenzojë shumë të madhe parash për ta rindërtuar skuadrën, pas largimit të Franck Riberys dhe Arjen Robbenit.

Ky lajm vjen vetëm disa javë pasi vëllai dhe menaxheri i Dybalas, Gustavo, sugjeroi se 25-vjeçari mund të largohet nga Juventusi gjatë afatit kalimtar të verës. Por, kjo deklaratë ishte para se të shkarkohej trajneri Massimiliano Allegri nga pozita e trajnerit.

Për Dybalan është spekuluar se mund të transferohet edhe në Atletico Madrid, ku mund ta zëvendësojë Antoine Griezmannin. Francezi ka bërë të ditur se do të largohet këtë sezon nga klubi madrilen dhe ai pritet t’i bashkohet Barcelonës. 

(Kosova Sot Online)