Gattuso nuk mbetet i papunë

  • 29 May 2019 - 17:58
Gattuso nuk mbetet i papunë

Vetëm 24 orë pasi u largua nga stoli i Milanit, mediat italiane konfirmojnë se trajneri Gennaro Gattuso ka gati ofertën e parë. Skuadra e Sampdoria i ofron trajnerit 41-vjeçar një kontratë 3-vjeçare dhe një pagë të mirë, për ta bindur të ulet në stolin e skuadrës xhenoveze.

Mësohet se zv.presidenti i Sampdoria, avokati Antonio Romei dhe krahu i djathtë i presidentit Massimo Ferrero, ka takuar trajnerin për t’i zbuluar ofertën. Ky është takimi i dytë mes tyre, pasi palët janë përshëndetur edhe një muaj më parë, por asokohe trajneri pat deklaruar se çdo gjë në lidhje me të ardhmen e tij do ta vendoste pas përfundimit të kampionatit.

Trajneri aktual i Sampdoria, Marco Gianpaolo, duket se do të lërë skuadrën, divorc që pritet të zyrtarizohet javën tjetër. Dhe presidenti Ferrero synon që skuadrën t’ia besojë një trajneri me shumë grintë si Gattuso, që pëlqehet edhe nga tifozeria.

Sipas “calciomercato”, trajneri është shprehur i vlerësuar nga kjo ofertë, por ka kërkuar kohë. Gattuso ka deklaruar se do të shohë edhe oferta të tjera e projekte më ambicioze për të ardhmen para se të vendosë për skuadrën e tij të re..

(Kosova Sot Online)