Hazard pasi e frymëzoi Chelsean drejt lavdisë në Ligën e Evropës: Lamtumirë, koha për sfidë të re

  • 29 May 2019 - 23:37
Hazard pasi e frymëzoi Chelsean drejt lavdisë në Ligën e Evropës: Lamtumirë, koha për sfidë të re

Eden Hazard me dy gola e frymëzoi Chelsean drejt triumfit në finale të Ligës së Evropës kundër Arsenalit, në atë që sipas të gjitha gjasave ishte ndeshja e tij e fundit për gjigantin nga Premierliga.

Pas ndeshjes, sulmuesi belg tha se ka kohë që e ka marrë vendimin për të ardhmen dhe se është duke pritur dy klubet të gjejnë marrëveshje.

“Ende nuk e di (për të ardhmen), mendoj se do të vendoset në ditët në vazhdim. Synimi im ishte ta fitoj këtë trofe, kjo është e gjitha. Siç kam thënë javë më parë, unë e kam marrë vendimin”, tha Hazard për BT Sport.

Hazard theksoi se tani synon sfidë të re në karrierën e tij dhe topin ua hodhi klubit aktual, Chelseat, dhe atij të ardhshëm, Real Madridit.

“Tani e gjitha varet nga klubet. Unë po i pres klubet, siç janë duke i pritur tifozët. Do ta merrni vesh pas pak ditësh. Mendoj se kjo është lamtumira, por nuk i dihet kurrë në futboll.

“E kam pasur ëndërr të luaj në Premierligë. E bëra këtë për shtatë vjet në njërin prej klubeve më të mëdha në botë dhe tani ka ardhur koha për një sfidë të re mbase”, theksoi ai. 

(Kosova Sot Online)