Sarri për të ardhmen e tij: Do të flas me drejtuesit e Chelseat

  • 30 May 2019 - 10:19
Sarri për të ardhmen e tij: Do të flas me drejtuesit e Chelseat

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, e ka bërë të ditur se do të mbajë bisedime për të ardhmen e tij me drejtuesit e klubit londinez gjatë ditëve në vijim, pas triumfin në finalen e Ligës së Evropës.

Maurizio Sarri e fitoi trofeun e parë të madh në karrierën e tij si trajner të mërkurën, kur Chelsea e mposhti me rezultat 4:1 Arsenalin në finale të Ligës së Evropës.

Ky triumf vjen pas spekulimeve se Sarri do të jetë zëvendësuesi i Massimiliano Allegrit në pozitën e trajnerit të Juventusit.

“Unë flas me pronarin e drejtorin pas çdo sezone me secilin klub. Është diçka shumë normale”, ka thënë Sarri në konferencën për shtyp, pas triumfit në finale të Ligës së Evropës.

“Ju e dini shumë mirë se unë e dua Premierligën, jam me fat që jam në Chelsea, në njërin ndër klubet më të mirë, në njërën ndër kampionatet më të mirë në botë”.

“Tani duhet të flas me klubin. Sezoni përfundoi para një ore. Nesër, unë do të flas me drejtorin apo pronarin, nuk e di”.

“Ne duhet ta dimë se çfarë mund të bëjë klubi për mua, çfarë mund të përmirësojë unë te klubi. Edhe klubi ka nevojë të flasë me mua gjithashtu. Unë e kam një kontratë, kështu që për momentin ne po flasim për asgjë”.

Juventusi është në kërkim të një trajneri të ri pasi u bë e ditur se i ka ndarë rrugët me Massimiliano Allegrin, i cili këtë muaj bëri të ditur se do të largohej nga Juventusi pas pesë titujve radhazi të Serisë A.

Sarri, i cili ishte nënkampion i Serisë A me Napolin në sezonin 2017/18, përflitet si kandidati favorit për ta marrë punën e trajnerit në Juventus.

(Kosova Sot Online)