Vetëm disa muaj pasi u bë anëtare, Kosova do ta organizojë takimin e ardhshëm të EERADO-s

  • 30 May 2019 - 10:54
Vetëm disa muaj pasi u bë anëtare, Kosova do ta organizojë takimin e ardhshëm të EERADO-s

Përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, anëtari i Bordit Ekzekutiv, Avni Nuha, njëherit kryetar i Komisionit Mjekësor, zyrtarja ligjore, Blerina Imeri dhe këshilltari për Sport në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Daut Thaqi, kanë marrë pjesë në takimin e radhës të Organizatës për Evropën Regjionale Lindore të Anti-Dopingut (EERADO), të mbajtur për dy ditë në Tbilisi të Gjeorgjisë.

Zyrtarja ligjore, Blerina Imeri, është certifikuar në trajnimin për Menaxhimin e Rezultateve, në të cilin ligjëroi profesori për Anti-Doping nga Britania e Madhe, Philip Law, derisa i pranishëm ishte edhe Sebastien Gillot, përfaqësues i WADA-s (Agjencia Botërore për Anti-Doping).

Në ditën e dytë u mbajt Mbledhja e Bordit të EERADO-s, pjesë e të cilëve është edhe Kosova, të cilës pas aplikimit që bëri dhe përmes prezantimeve për vendin tonë, të gjithë anëtarët e Bordit votuan pro mbajtjes së takimit të radhës në Kosovë.

Kosova u bë vendi i parë që vetëm disa muaj pra pranimit të organizojë takimin e radhës, derisa data do të caktohet më vonë.

Krahas Kosovës, e cila u bë anëtare e EERADO-s në muajin shtator të vitit të kaluar, anëtare të kësaj organizate janë edhe: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Moldavia, Armenia, Gjeorgjia, të cilat ishin të pranishme edhe në Mbledhjen e Bordit.

(Kosova Sot Online)