Ronaldo lajmërohet për ardhjen e Sarrit

  • 30 May 2019 - 13:35
Ronaldo lajmërohet për ardhjen e Sarrit

Mediat italiane raportojnë se Cristiano Ronaldos dhe lojtarëve të tjerë të Juventusit u është thënë se trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, do të jetë në karrigen e trajnerit në “Allianz” sezonin tjetër.

Sipas DailyMail, Juventusi është  i gatshëm të paguajë 5.7 milionë euro për ta shkëputur kontratën e Maurizio Sarrit me Chelsean.

Ky lajm vjen pasi presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, u takua me drejtuesin e Chelseat, Bruce Buck, para finales të së mërkurës të Ligës së Evropës, në të cilën “Blues” e mposhtën Arsenalin me rezultat 4:1.

Tuttosport gjithashtu pretendon se para ndeshjes, Agnelli kishte biseduar me ish-trajnerin e Napolit në hotelin ku ekipi i Chelseat po qëndronte, në Baku të Azerbajxhanit.

Ndërkohë, ndërmjetësi Fali Ramadani pritet të takohet me drejtoreshën ekzekutive të Chelseat, Marina Granovksaian, dhe menaxherin e Sarrit, Alessandro Pellegrinin. Ky takim pritet të zhvillohet të enjten.

Edhe pse përfaqësuesit e Chelseat dhe të Sarrit pritet ta kërkojnë aktivizimin e klauzolës për shkëputjen e kontratës së Sarrit me londinezët, drejtuesit e Chelseat mund të mos jenë të gatshëm ta lëshojnë trajnerin e tyre të shkojnë, pas suksesit në Ligën e Evropës. 

(Kosova Sot  Online)