Trukimet në Spanjë, Ronaldo: Ja e vërteta

  • 30 May 2019 - 18:52
Trukimet në Spanjë, Ronaldo: Ja e vërteta

 

“Fenomeni” Ronaldo tregon vuajtjet e fundit të sezonit kur Vajadolidi i tij luante ndeshjet delikate për të mbijetuar në elitën e futbollit spanjoll. Në një intervistë për gazetën “Marca”, ai flet edhe për operacionin kundër ndeshjeve të trukuara, në të cilin është përfshirë lojtari i tij, Borha.

VAJADOLIDI – “Kur qëndron në tribunë vuajtjet janë më të mëdha, edhe pse duhet t’i fshehësh ato. Por, kur je drejtues vuan më shumë sesa si trajner. Dita më e vështirë që përjetova ishte kur arritëm mbijetesën kundër Rajo Vajekanos. Zotat e futbollit më ndihmuan, por ne bëmë një sezon të mirë dhe e merituam”.

BLERJA – “Isha duke kërkuar një klub në Europë dhe oferta që më pëlqeu më shumë ishte ajo e Vajadolidit. Kishte gjithçka për të vënë në punë projektin tim”.

LOJA – “Më pëlqen fakti që nuk ka një stil loje. Liverpuli dukej si një kamion që kalonte mbi Barcelonën”.

MBAPE – “Është e vërtetë që mund të ngjasojë me mua për mënyrën sesi luan. Më pëlqen shumë, ka shpejtësi, saktësi dhe është vetëm 20 vjeç. Ka shumë talent”.

PEREZ – “Unë kam tre presidentë, nga të cilët frymëzohem: Perez, Morati dhe Sançez”.

TRUKIMET – “Borha është një mik i imi. Shpresoj që gjithçka të qartësohet sa më shpejt dhe jam i sigurt që nuk ka gisht. Por nuk është në dorën tonë. Duhet të besojmë te puna e policisë dhe ne jemi një klub që e mbështesim këtë nismë për të luftuar kundër korrupsionit”.

(Kosova Sot Online)