NBA: Toronto e mposht kampionin Golden State, triumfon në finalen e parë

  • 31 May 2019 - 09:07
NBA: Toronto e mposht kampionin Golden State, triumfon në finalen e parë

Toronto Raptors e mposhti bindshëm kampionin në fuqi të NBA, Golden State Warriors. Ndeshja e parë e serisë finale përfundoi me rezultat 188:109 për vendasit.

Pascal Siakam ishte koshashënuesi  më i mirë për Raptors, të cilët janë në finale për herë të parë në histori të klubit, ndërsa Kawhi Leonard kontribuoi me 23 pikë të tjera.

Stephen Curry i shënoi 34 pikë për mysafirët, të cilët janë duke tentuar ta fitojë kampionatin e tyre të tretë radhazi këtë sezon.

Ndeshja e dytë në serinë prej shtatë ndeshjeve do të zhvillohet në Toronto të hënën. Gjithsej shtatë ndeshje janë të planifikuara, por nëse njëra skuadër arrin t’i fitojë katër ndeshje para se të zhvillohen të shtatë ndeshjet, ato ndeshja të mbetura nuk do të zhvillohen fare.

Raptors u prit nga një turmë e madhe tifozësh në Scotia Arena, ky përfshihej edhe repisti i famshëm kanadez, Drake, i cili është ambasador i Raptors. Ndërsa, mijëra tifozë dolën nëpër rrugë për ta festuar këtë triumf.

“E dua këtë sepse gjëja që duhet ta bëjmë në këtë seri finale është ta japim më të mirën tonë dhe këtë e dëshmuan me besimin, vullnetin për ta kërkuar fitoren”, ka thënë trajneri i Raptors, Nick Nurse.

Dhe Nurse ishte plot lëvdata për kamerunas, Siakam, i cili kishte qenë duke studiuar për t’u bërë prift kur u gjet nga ish-lojtari i NBA, Luc Mbah. Ai u zgjodh për të marrë pjesë në kampin “Basketbolli pa kufij”.

25-vjeçari, i cili u zgjodh në draft nga Raptors në vitin 2016, ishte duke luajtur në ligën e zhvillimit të NBA deri para dy vjetëve.

“Pascal e pati një natë të madhe në fazën e sulmit. Mendoj se ai luajti me të vërtetë me vetëpërmbajtje të mirë”, shtoi Nurse.

Siakam, i cili i shënoi gjashtë pikë nga gjashtë të tentuara në çerekun e tretë, tha: “Është e mrekullueshme dhe kjo vetëm e dëshmon që nëse punon shumë, do ta arrish qëllimin. Ndoshta është klishe, por kjo është historia e jetës time”.

 Golden State, që luajti pa Kevin Durantin e lënduar, e fitoi çerekun e katërt për tetë pikë, mirëpo kjo nuk ishte e mjaftueshme për ta fituar ndeshjen e parë të serisë finale.

Trajneri i tyre, Steve Kerr, i cili e ka drejtuar Golden State në finalen e pestë radhazi, tha: “Mbrojtja e tyre ishte e mrekullueshme dhe kjo nuk ishte nata jonë më e mirë. Thjesht ata luajtën më mirë se ne. Vazhdojmë me ndeshjen e radhës”.

(Kosova Sot Online)