Drejtori i Liverpoolit: Coutinho me siguri pendohet që na la

  • 31 May 2019 - 10:30
Drejtori i Liverpoolit: Coutinho me siguri pendohet që na la

Drejtori i Liverpoolit, Tom Werner, beson se Philippe Coutinho është penduar që është larguar nga “Reds”, pasi që braziliani e ka pasur shumë të vështirë ta gjejë veten te klubi i tij aktual, Barcelona.

Gjatë afatit kalimtar të janarit të vitit 2018, ylli i Amerikës së Jugut e bëri të qartë se ai dëshironte të kalonte nga Premierliga në La Liga.

Për transferimin e tij u përfol për një kohë të gjatë dhe drejtuesit në Anfield në fund vendosën t’ia shesin atë Barcelonës për një shumë ta madhe parash, të cilat më vonë i përdorën për ta ndërtuar skuadrën e re të Jurgen Kloppit, e cila tani ka arritur në dy finale radhazi të Ligës së Kampionëve.

Madje, këtë sezon, Liverpooli kishte qenë shumë afër triumfit në Premierligë, mirëpo në fund e mbylli sezonin me një pikë më pak sesa Manchester City. Ndërkohë, Coutinho cilësohet si dështak në Katalonjë.

Ëerner beson se 26-vjeçari tani do të jetë duke e vënë në dyshim vendimin e tij për t’u larguar nga Liverpooli, pasi që klubi anglez tani e ka dëshmuar se është njëri ndër klubet më të mëdhenj në botë.

“Për aq sa më takon, nuk ka asnjë arsye pse një lojtar i nivelit më të lartë nuk do të dojë t’i bashkohet Liverpoolit. Ne e kemi një skuadër shumë të fortë me një trajner që besoj se është ndër më të mirët në botën e futbollit”, ka thënë Werner.

“Kështu që nuk mendoj se ekzistojnë shumë futbollistë të cilëve mund t’u bëjmë ofertë dhe ata të na refuzojnë. Do ta përmend historinë e Philippe Coutinhos. Mund të them vetëm fjalë të mira për të”.

“Por, mendoj se ai e la Liverpoolin sepse dëshironte të luante te njëri ndër klubet e mëdha të Spanjës. Ne tentuam ta bindim se klubi po shkon në drejtimin e duhur. Mendoj se ai tani po pendohet për vendimin e tij".

(Kosova Sot Online)