Mbrojtësi i Barcelonës lavdëron Griezmannin: Ai është yll

  • 31 May 2019 - 10:31
Mbrojtësi i Barcelonës lavdëron Griezmannin: Ai është yll

Mbrojtësi i Barcelonës, Clement Lenglet, e ka lavdëruar Antoine Griezmannin, duke e cilësuar bashkëkombësin e tij francezit si njërin ndër futbollistët më të mirë në ligën spanjolle.

28-vjeçari Antoine Griezmann, ka qenë i përfolur për transferim të mundshëm në Barcelonë, pasi që këtë muaj bëri të ditur se do të largohet nga Atletico Madridi gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Lenglet, i cili pritet të debutojë me ekipin kombëtar të Francës muajin e ardhshëm, e cilëson Griezmannin si njërin ndër yjet e La Ligës.

“Griezmanni është njëri ndër tre apo katër futbollistët më të mirë në La Liga. Ai është një yll dhe ka qenë duke marrë pjesë në këtë garë për shumë vite”, ka thënë Lenglet.

“Ai ka shënuar një numër të madh të golave çdo sezon. Ai është ylli i Atleticos dhe ai është gjithashtu njëri ndër figurat më të mrekullueshme në ligë”.

Përderisa Griezmanni po përflitet për transferim të mundshëm në Barcelona, ai besohet se është njëri ndër lojtarët më të kërkuar edhe në Premierligë, veçanërisht nga Manchester Unitedi.

Përderisa sulmuesi ka thënë se ai do të largohet nga Atletico Madridi këtë verë, ai nuk e ka konfirmuar ende klubin për të cilin do të luajë sezonin e ardhshëm.

Lenglet, 23-vjeçar, ka thënë se ai do të jetë i vëmendshëm ndaj vendimit të Griezmannit për të ardhmen e tij. Edhe shumë tifozë të tjerë të Barcelonës janë duke pritur bashkë me të për momentin.

“Griezmanni ka thënë se ai do të largohet nga Atletico, por jo se ku do të shkojë. Ne ende nuk e dimë se me cilën skuadër të jetë ai. Do të duhet të presim, por do të jemi të gjithë të vëmendshëm kur ai e tregon këtë”.

Që të dy futbollistët do të kthehen në fushën e lojës së shpejti, pasi që Franca do të përballet me Bolivinë të dielën, para dy ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020, kundër Turqisë dhe Andorrës. 

(Kosova Sot Online)