“Nuk do ta lejoja kurrë Serbinë të luajë me Kosovën”

  • 31 May 2019 - 10:59
“Nuk do ta lejoja kurrë Serbinë të luajë me Kosovën”

Anëtari i Këshillit Drejtues të Federatës Serbe të Futbollit, Dragomir Lazovic thotë se, nëse do të pyetej ai, nuk do ta linte kurrë Serbinë të luajë kundër Kosovës

Vendimi i fundit i UEFA-s nuk iu ka pëlqyer aspak vendeve që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Në fakt, presidenti i shtëpisë së futbollit evropian, Alexander Ceferin theksoi në Baku të Azerbajxhanit para ndeshjet finale të Champions Leagues ndërmjet Liverpoolit dhe Tottenhamit se politika e UEFA-s i obligon të gjitha skuadrat të pranojnë të luajnë me ekipet dhe përfaqësueset e Kosovës në territorin e shtetit mikpritës, por edhe në Kosovë.

Natyrisht, në këtë “thes” nuk janë futur Serbia dhe Bosnja e Hercegovina për shkaqe të sigurisë.

Anëtari i Bordit Ekzekutiv të Federatës Serbe të Futbollit, Dragomir Lazovic e ka komentuar vendimin e fundit të UEFA-s, i cili ishte goditës për vendet që nuk e kanë njohur Kosovën si Azerbajxhani, Rumania, Rusia, Ukraina, Spanja etj.

“Mund ta jap mendimin tim personal, jo në emër të Federatës Serbe. Mendoj se çfarëdo vendimi që merret në lidhje me Kosovën është e natyrës politike. Nuk është korrekte që UEFA t’ua imponojë një vendim vendeve si Rusia. Dyshoj që UEFA do të jetë më e fortë se qeveritë e vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën”, ka nënvizuar Lazovic për mediat serbe.

“Mendoj që jam i pari që do ta sfidoj këtë vendim të UEFA-s. Sa më përket mua personalisht, nuk do ta lejoja kurrë Serbinë ta zhvillojë një ndeshje kundër Kosovës”, përfundoi anëtari i Këshillit Drejtues të Federatës Serbe të Futbollit.

Serbët kanë lobuar vazhdimisht kundër ndërkombëtarizimit të sportit kosovar, por janë dorëzuar përfundimisht në vitin 2016, mbi të gjitha pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA.

(Kosova Sot Online)