Conte dëshiron ta shesë Icardin, reagon Wanda Nara

  • 31 May 2019 - 11:03
Conte dëshiron ta shesë Icardin, reagon Wanda Nara

Bashkëshortja dhe agjentja e Mauro Icardit, Wanda Nara, ka thënë se sulmuesi argjentinas planifikon të qëndrojë në Inter për të paktën edhe një sezon tjetër.

Interi e shkarkoi dje trajnerin Luciano Spallettin dhe në vend të tij sot e emëroi ish-trajnerin e Chelseat dhe Juventusit, Antonio Conten, për të cilin raportohet se dëshiron ta shesë Mauro Icardin.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, trajneri italian nuk ka dyshime për kualitetet e sulmuesit argjentinas, por ai nuk dëshiron që të përsëritet drama e kontratës, e cila e la lojtarin jashtë ekipit për disa muaj.

Megjithatë, Wanda Nara tha për TyC Sport se Icardi dëshiron të qëndrojë të paktën edhe për një sezon në “San Siro”, ndërsa kontrata e tij është e vlefshme edhe për dy sezone të tjera.

“Ai i ka edhe dy vjet të mbetura në kontratën e tij. Qëllimi i tij është që të qëndrojë me Interin për të paktën edhe një sezon tjetër”, ka thënë Nara.

Për largimin e Icardit nga Interi është raportuar tash e një kohë të gjatë nga mediat italiane, veçanërisht pas mosmarrëveshjes për shiritin e kapitenit gjatë këtij viti.

Icardi nuk kishte luajtur për Interin për pothuajse dy muaj, pasi i ishte marrë shiriti i kapitenit në shkurt. Pikërisht Wanda Nara i kishte zemëruar drejtuesit e klubit me deklaratat e saj në lidhje me bisedimet për kontratën e re. 

(Kosova Sot Online)