Hazardi mund ta fitojë Topin e Artë në Real Madrid

  • 31 May 2019 - 12:32
Hazardi mund ta fitojë Topin e Artë në Real Madrid

 

Ish-mesfushori i Chelseat dhe Arsenalit, Cesc Fabregas, e ka këshilluar Eden Hazardin të transferohet në Real Madrid, duke thënë se kryeqyteti spanjoll është skena e përsosur për belgun për ta fituar Topin e Artë.

“Blues” ia kanë vendosur çmimin prej 130 milionë eurove Eden Hazardit, përkundër që atij i ka mbetur vetëm edhe një vit në kontratën e tij. Negociatat për rinovim të kontratës dështuan, pasi që belgu e dëshiron kalimin në Real Madrid.

Fabregasi, i cili kaloi nga Chelsea në Monaco në janar, udhëtoi deri në Baku të Azerbajxhanit për finalen e Ligës së Evropës, ku Hazardi shkëlqeu me dy gola dhe një asist në fitoren 4:1 të Chelseat ndaj Arsenalit.

Pas kësaj fitoreje, Hazardi e pranoi se kjo mund të ketë qenë ndeshja e fundit e tij me fanellën e “Blues” dhe vazhdoi duke thënë se shpreson të luajë kundër Chelseat vitin tjetër në Ligën e Kampionëve.

“Është një situatë e vështirë dhe një vendim i vështirë për mua që ta them. Ai ka qenë në Chelsea – dhe nuk që njerëzit të mendojnë se unë po e kritikoj klubin këtu – por mendoj se është koha që Edeni të largohet dhe të provojë diçka të re”, ka thënë Fabregasi.

“E di se ai gjithmonë ka thënë se nuk i intereson për Topin e Artë, por thellë-thellë, çdo futbollist do ta kishte dashur këtë çmim. Unë besoj më shumë sesa Hazardi se ai e meriton Topin e Artë, pa asnjë dyshim”.

“Mendoj se në Chelsea, ai s’do të kishte mundur ta fitonte kurrë. Jo sepse Chelsea nuk është mjaftueshëm i mirë ose diçka e tillë, por ka klube dhe skuadra që janë më të mëdha për shkak të imazhit të tyre në botë dhe kjo e bën një dallim të madh. Mendoj se në Real Madrid, Edeni mund të fitojë gjithçka”.

(Kosova Sot Online)