Zyrtare: Dy futbollistë largohen nga grumbullimi i Kombëtares për shkak të lëndimeve

  • 31 May 2019 - 16:29
Zyrtare: Dy futbollistë largohen nga grumbullimi i Kombëtares për shkak të lëndimeve

Memushaj dhe Binaku nuk ia kanë dal, ata do të mungojnë në ndeshjet e Shqipërisë ndaj Islandës dhe Moldavisë.

Ledian Memushaj dhe Egzon Binaku nuk do të jenë pjesë e Shqipërisë për dy sfidat e radhës eliminatore, ndaj Islandës në udhëtim dhe Moldavisë në Elbasan Arena.

Të dy futbollistët janë larguar nga grumbullimi i kombëtares për arsye dëmtimi dhe nuk do të zëvendësohen nga të tjerë futbollistë.

Ndërkohë në njoftimin e FSHF bëhet me dije se Marash Kumbulla i cili është ende i angazhuar me Veronën në Serie B, do t’i bashkohet përfaqësueses Shpresa të hënën.

Njoftimi i plotë i FSHF:

Ka ndryshime në listën e kombëtares A për dy ndeshjet zyrtare ndaj Islandës në transfertë më 8 qershor dhe Moldavisë në “Elbasan Arena” më 11 qershor ora 20:45.Egzon Binaku është dëmtuar në ekipin e tij IFK Norrkoping në ligën suedeze dhe në këto kushte e ka të pamundur të bashkohet me kuqezinjtë. Poashtu mesfushori Ledian Memushaj i grumbulluar me përfaqësuesen në kompleksin “Tropikal” ka shfaqur probleme fizike duke e bërë të pamundur rikuperimin në kohë për dy përballjet. Një tjetër futbollist që do të mungojë është edhe Marash Kumbulla, i cili për shkak të angazhimit me klubin e tij, Hellas Verona në Itali do të bashkohet me U-21 në datë 3 qershor për transfertën e Turqisë.

(Kosova Sot Online)