Pas kërkesës së Pochettinos, UEFA e ndryshon një rregull

  • 01 June 2019 - 20:16
Pas kërkesës së Pochettinos, UEFA e ndryshon një rregull

 

Mauricio Pochettino beson se e gjithë skuadra e tij e meriton të shfaqet në fotografi para finales së Ligës së Kampionëve dhe UEFA ia ka miratuar atij këtë kërkesë, duke e ndryshuar kështu protokollin për foto.

Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, dëshiron që edhe lojtarët e skuadrës së tij që kanë mbetur në stol, për ndeshjen finale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, të pozojnë për fotografi para se të nisë ndeshja.

“Unë propozova para disa javëve që e gjithë skuadra të shfaqet në fotografi së bashku. Mendoj se UEFA më dëgjoi kur unë e thashë këtë dhe mendoj se që të dyja skuadrat do ta kemi mundësinë nesër ta bëjmë fotografinë të gjithë së bashku”, tha Pochettino dje.

Pas kësaj, UEFA e ndryshoi protokollin dhe bëri të ditur se sapo të përshëndeten mes vete kapitenët e skuadrave dhe gjyqtarët, që të dyja ekipet do t’i bëjnë nga dy fotografi: një me të gjithë skuadrën dhe një vetëm më formacionin e parë.

Por, ky nuk është ndryshimi i vetëm. Pas disa ndryshimeve në rregullat e UEFA-s, edhe Kloppit e edhe Pochettinos i është dhënë mundësia t’i emërojnë nga 12 lojtarë në stol për këtë finale.

(Kosova Sot Online)