Mourinho parashikon finalen e Championsit

  • 01 June 2019 - 20:32
Mourinho parashikon finalen e Championsit

Jose Mourinho, i cili vetë është shpallur dy herë fitues i Ligës së Kampionëve, e ka komentuar finalen e sotshme mes Tottenhamit dhe Liverpoolit. Portugezi ka parashikuar se lojtarët vendimtarë në këtë ndeshje do të jenë Virgil van Dijk dhe Christian Eriksen.

Sonte në orën 21:00, në stadiumin “Wanda Metropolitano”, do të zhvillohet finalja e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve, ku do të përballen dy klubet angleze, Liverpooli dhe Tottenhami.

Liverpooli është finalist në këtë garë prestigjioze evropiane për të dytin sezon radhazi, mirëpo këtë vit synon të shkojë një hap më tutje dhe ta fitojë trofeun, pasi që sezonin e kaluar u mposht nga Real Madridi me rezultat 3:1.

Në anën tjetër, Tottenhami ka shkruar historinë edhe vetëm duke marrë pjesë në finalen e Ligës së Kampionëve, pasi që klubi londinez nuk e kishte arritur këtë sukses asnjëherë më parë. Megjithatë, Mauricio Pochettino dhe lojtarët e tij do të tentojnë që ta fitojnë trofeun qysh në tentimin e parë.

Përderisa treshja e sulmit të Liverpoolit – Mohamed Salah, Roberto Firmino, Sadio Mane – kanë qenë tre lojtarët kryesorë në sukseset e “Reds” gjatë sezoneve të fundit, Mourinho beson se është qendërmbrojtësi Virgil Van Dijk ai që do të jetë vendimtar për Kloppin.

Në anën tjetër, ish-trajneri i Manchester Unitedit e ka bërë një zgjedhje edhe për skuadrën e Pochettinos – Eriksenin.

“Nëse duhet të zgjedh një futbollist për secilin ekip, do të preferoja Virgil van Dijk për Liverpool-in, sepse ka pasur një rritje të jashtëzakonshme, dhe Christian Eriksen për Tottenham-in”, ka thënë portugezi për Eleven Sports. (Kosova Sot Online)