Kjo ishte festa e titullit të Evropës

  • 01 June 2019 - 23:29
Kjo ishte festa e titullit të Evropës

Për herë të parë pas sezonit 2004/2005, Liverpooli është shpallur sërish kampion i Evropës, për të gashtën herë në histori, pasi që siguroi fitore me rezultat 2:0 në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Tottenhamit, që u zhvillua në stadiumin “Wanda Metropolitano”.

Dy sezone, dy finale të Ligës së Kampionëve – ky është rekordi i Liverpoolit në Evropë në këto dy vjetët e fundit. Megjithatë, këtë herë emocionet e “Reds” ishin plotësisht të kundërta me ato të vitit të kaluar.

Përderisa vitin e kaluar Liverpooli u mposht nga Real Madridi me rezultat 3:1 në finale, këtë herë skuadra e Jurgen Kloppit mësoi nga gabimet e saj dhe arriti ta mbajë epërsinë kundër Tottenhamit deri në momentin kur gjyqtari e sinjalizoi fundin e ndeshjes.

Finalja e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve nisi në mënyrë mjaft spektakolare, pasi që gjyqtari Damir Skomina akordoi penallti për Liverpoolin pas vetëm 30 sekondave lojë. Këtë mundësi të artë e shfrytëzoi Mohamed Salahu, i cili i kishte vënë vetes synim të jetë vendimtar në këtë finale, pasi që finalen e sezonin të kaluar e mbylli pas 31 minutave lojë, pas përplasjes me Sergio Ramosin.

 

Megjithatë, Liverpooli e përfundoi këtë ndeshje me një rezultat më të mirë, pasi që përveç Salahut, hero i “The Reds” u bë edhe Divock Origi, i cili kishte qenë vendimtar edhe në gjysmëfinalen kundër Barcelonës.

Përderisa Tottenhami e dominoi ndeshjen sa i përket posedimit të topit, 64 për qind me 36 për Liverpoolin, djelmoshat e Mauricio Pochettinos nuk arritën ta shfrytëzojnë këtë posedim për të krijuar shanse të mirë, veçanërisht në pjesën e parë kur nuk e pati asnjë goditje brenda kuadratit të portës.

Tottenhami u përmirësua në pjesën e dytë, kur e rrezikoi portën e Alissonit plot pesë herë, por as kjo nuk ishte e mjaftueshme për skuadrën e Mauricio Pochettinos, që po merrte pjesë në finale të Ligës së Kampionëve për herë të parë në histori të klubit.

Image

Alissoni e mbajti portën e tij të paprekur në këtë ndeshje, përkundër presionit të Tottenhamit afër fundit të ndeshjes. Portieri që u transferua nga Roma verën e kaluar e luajti në mënyrë të përsosur rolin e tij, pasi Liverpooli kishte pësuar nga gabimet e portierit Loris Karius në finalen e vitit të kaluar.

Ky triumf bën që Liverpooli ta mbyllë këtë sezon në mënyrë mjaft mbresëlënëse, pasi që skuadra e Kloppit kishte qenë në formë të jashtëzakonshme gjatë gjithë vitit, por pasi e humbi titullin e Premierligës kundër Manchester Cityt, tifozët ishin të shqetësuar se do ta mbyllnin edhe një tjetër vit pa asnjë trofe.

Pas këtij triumfi, Liverpooli do të përballet me një tjetër klub nga Anglia, Chelsean, në Superkupën e Evropës, pasi që londinezët triumfuan në Ligën e Evropës.

(Kosova Sot Online)