Neymar akuzohet për sulm seksual në Paris

  • 02 June 2019 - 11:01
Neymar akuzohet për sulm seksual në Paris

Ylli i futbollit brazilian, Neymar, është akuzuar për sulm seksual ndaj një gruaje në Paris. Sipas një raporti të Policisë në Sao Paolo,  gruaja pretendon se sulmi ka ndodhur në një hotel në qytetin ku Neymar luajti për Paris st-Germain (PSG), njofton BBC.

Deri tani nuk ka pasur përgjigje  për këto pretendime nga ana e futbollistit apo avokatëve të tij. Neymar është tani në Brazil duke u stërvitur me ekipin kombëtar për Kupën e Amerikës.

Çfarë pretendon ajo grua?

Sipas dokumenteve të Policisë, gruaja që nuk identifikohet, e njohu Neymar në Instagram dhe ai i propozoi asaj që të takohen në Paris. Ai i dha asaj një biletë avioni nga Brazili në Francë dhe i bëri një rezervim në hotel Sofitel Paris Arc Du Triumphe.

Kur Neymar shkoi në hotel në 15 maj, ai ishte “dukshëm i dehur” pretendon gruaja në fjalë. Pas bisedës dhe përqafimeve, “në një moment, Neymar u bë agresiv dhe me dhunë, kreu marrëdhënie seksuale pa dëshirën e viktimës”, thuhet në dokumentin e Policisë.

Gruaja u kthye në Brazil dy ditë më pas, pa e kallëzuar këtë incident që pretendon në Policinë franceze, sepse ajo ishte “emocionalisht e tronditur dhe e frikësuar për të regjistruar këto fakte në një vend tjetër”, thuhet në dokument.

Po çfarë thotë babai i Neymar?

Babai i futbollistit, Neymar dos Santos tha për Band Tv në Brazil të shtunën se “është e qartë që ky është një kurth. Nëse opinioni publik nuk është i qartë dhe nëse ne nuk e themi të vërtetën me shpejtësi, kjo bëhet ortek.  Po qe sedo të duhet të tregojmë bisedat dhe mesazhet e Neymar në WhatsApps me këtë vajzë, do ta bëjmë,” tha ai.

27-vjeçarit i janë hequr spaletat e kapitenit të Brazilit, për shkak të disa problemeve me disiplinën. Autoritetet franceze ia ndaluan Neymar, tre ndeshje, pasi ai goditi një tifoz pas humbjes së PSG në finalen e Kupës së Francës muajin e kaluar. Po ashtu ai ai ishte përfshirë në një përleshje në dhomën e zhveshjes.

(Kosova Sot Online)