Van Dijk: Messi më i miri në botë dhe favorit për Topin e Artë, por as unë nuk do ta refuzoja çmimin

  • 02 June 2019 - 12:03
Van Dijk: Messi më i miri në botë dhe favorit për Topin e Artë, por as unë nuk do ta refuzoja çmimin

Ylli i Liverpoolit, Virgil van Dijk beson se Lionel Messi mbetet kandidati më i denjë për të fituar Topit të Artë 2019 – ndërsa pranon se nuk do ta refuzonte çmimin pas trofeut të fituar të Ligës së Kampionëve .

Mbrojtësi holandez ka qenë një shkëmb në zemrën e skuadrës së Liverpoolit që nga nënshkrimi i tij në janar të 2018, duke e transformuar vijën e fundit të mbrojtjes, e cila ishte ndër më të dobëtat në Ligën Premier.

Forma e tij e lartë gjithashtu ka kaluar në Evropë, ku Liverpooli mbajti gjashtë herë portën e paprekur deri tek fitorja e tyre 2-0 ndaj Tottenhamit në finalen e Ligës së Kampionëve të shtunën mbrëma.

I zgjedhur tashmë si lojtari më i mirë në Angli dhe lojtari i sezonit në Ligën Premier, Van Dijk tani ka një shans të vërtetë për t’u bërë mbrojtësi i parë që fiton Topin e Artë që nga koha e Fabio Cannavaros më 2006 .

Por, me gjithë eliminimin e Barcelonës në gjysmëfinale, holandezi beson se argjentinasi mbetet kandidati më favoriti për ta fituar çmimin e madh individual, edhe pse shtoi se as ai nuk do ta refuzonte po që se do ta fitonte.

“Unë mendoj se Messi është lojtari më i mirë në botë. Ai duhet të fitojë Topin e Artë”, u tha fillimisht Van Dijk gazetarëve pas përfundimit të finales.

“Por, nëse unë e fitoj, do ta marr atë, nuk do ta refuzojë. Megjithatë, Messi duhet ta fitojë, ai është më i miri në botë, nëse ai është në finale apo jo”, përfundoi holandezi.

(Kosova Sot Online)