Van Dijk: Messi e meriton “Topin e Artë”, por me qejf do ta merrja për vete

  • 02 June 2019 - 15:37
Van Dijk: Messi e meriton “Topin e Artë”, por me qejf do ta merrja për vete

Ylli i Liverpoolit, Virgil van Dijk, beson se Lionel Messi vazhdon të jetë kandidati më meritor për ta fituar Topin e Artë 2019, edhe pse e pranon se nuk do ta refuzonte por do ta pranonte me shumë qejf nëse ky çmim prestigjioz individual i ndahet atij pas triumfit në Ligën e Kampionëve.

Qendërmbrojtësi holandez ka qenë mur i vërtetë në zemër të mbrojtjes së Liverpoolit që prej se iu bashkua klubit në janar të vitit 2018, duke e transformuar një mbrojtje të dobët në një mbrojtje të pathyeshme në Premierligë.

Formën e tij, ai bashkë me skuadrën e kanë mbartur edhe në Evropë, kur Liverpooli e fitoi trofeun e gjashtë në histori të klubit në garën më elitare evropiane për klube, pasi e mundi 2:0 Tottenhamin në finalen e Madridit të shtunën.

Van Dijk tashmë e ka fituar çmimin Lojtari i Vitit në Premierligë dhe tani ka mundësi shumë të mirë të bëhet mbrojtësi i parë që e fiton Topin e Artë që prej vitit 2006, kur e kishte fituar Fabio Cannavaro.

Por, edhe pse e mposhti Messin dhe Barcelonën në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, holandezi beson se superylli argjentinas mbetet favorit i qartë për këtë çmim.

“Mendoj se Messi është lojtari më i miri në botë. Ai duhet ta fitojë Topin e Artë”, tha Van Dijk pas triumfit në finale.

“Prandaj nuk po mendoj për këtë çmim. Por, nëse e fitoj, natyrisht se e marrë. Ama Messi duhet ta fitojë. Ai është më i miri në botë, pavarësisht se a e arrin finalen apo jo”, këmbënguli ai.

(Kosova Sot Online)