Liverpooli e shpërblen Kloppin pas triumfit në Champions

  • 03 June 2019 - 11:46
Liverpooli e shpërblen Kloppin pas triumfit në Champions

Liverpooli ka vendosur ta blindojë Jurgen Kloppin duke ia zgjatur kontratën me kushte shumë më të mira, si shpërblim pas triumfit në Ligën e Kampionëve.

Trajneri gjerman Klopp e udhëhoqi Liverpoolin drejt trofeut të gjashtë në histori të klubit në Ligën e Kampionëve, pasi e mposhti Tottenhamin 2:0 në finalen së shtunës në Wanda Metropolitano në Madrid.

51-vjeçari pati sezon fantastik edhe në Premierligë duke i grumbulluar 97 pikë në total, të cilën, megjithatë, e humbi për pak, pasi Manchester City u shpall kampion me një pikë më shumë të fituar.

“Jurgen Klopp është trajner i shkëlqyeshëm, por më e rëndësishmja ai është njeri i përulur dhe i kujdesshëm”, tha kryetari i klubit, Tom Werner.

Ky ishte trofeu i parë për Kloppin që prej ardhjes në Liverpool në vitin 2015.

Mësohet se Kloppit do t’i ofrohet kontratë e re me pagë vjetore prej 10 milionë funte.

(Kosova Sot Online)