Dikur luante para 242 tifozëve, tani kampion Evrope

  • 03 June 2019 - 13:29
Dikur luante para 242 tifozëve, tani kampion Evrope

Kanë kaluar vetëm dy vite, që nga dita kur Andy Robertson u bashkua me Liverpool, pasi u largua nga Hull City. Dhe tani është fitues i Ligës së Kampionëve, së bashku me shokët e tij. Një trajektore e pabesueshme në gjashtë vite për skocezin 25-vjeçar.

Vetëm pak më shumë se një vit më parë, Liverpool nisi të besojë tek Robertson, pasi mori vlerësime për rritje të pabesueshme në formën sportive. Skocezi nuk kishte qenë as në “Anfield” për një vit, deri kur “Reds” u përballën me Manchester City në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Ajo që ishte e rëndësishme për Robertson, në mënyrë specifike, kishte të bënte me faktin se kjo ndeshje erdhi pikërisht pesë vite pas ditës kur luante para 242 tifozëve, me “Queen's Park”. Atë natë, në vitin 2013, Robertson po luante në nivelin e tretë të futbollit skocez.

Gjysmë dekadë më vonë, pasi kishte kaluar edhe te Hull City, lojtari i blerë për 8 milionë euro e ndihmoi Liverpool të merrte një fitore të pabesueshme 5-1 ndaj Manchester City, në Ligën e Kampionëve.

Image

Natyrisht, sezoni i kaluar do të përfundonte me hidhërim për ekipin e Jurgen Klopp, pasi humbi në finalen e Champions-it kundër Real Madridit, por ky sezon ishte histori tjetër.

25-vjeçari ka pasur një sezon të shkëlqyer edhe në planin personal, me 11 asiste të dhëna dhe një vend në ekipin e vitit të PFA në Angli.

Lojtar i rregullt në formacionin startues të Liverpool-it, ai ka qenë pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së të kuqve, që kanë pësuar vetëm 22 gola në Premier League, këtë sezon, më pak se kushdo tjetër.

Ndërkombëtari i Skocisë bëri një lëvizje te Dundee United, pas shkëlqimit me Glasgow, dhe më vonë u bë pjesë e Hull City për vetëm 3 milionë paundë, një vit më vonë.

Ai kaloi tri vite në stadiumin KCOM, duke përfshirë dy të tillë në Premier League, dhe ra në sytë e Klopp. Gjermani e bleu në fund të sezonit 2017-2018.

Në dy sezonet e fundit ka vazhduar të përmirësohet dhe të bëhet pjesë e këtij ekipi mbresëlënës të Liverpool-it, që së fundi fitoi Ligën e Kampionëve. Gjashtë vite të pabesueshme për Robertson dhe një fund mahnitës i të shtunës së kaluar.

(Kosova Sot Online)