Rashkaj optimist para ndeshjeve me Malin e Zi dhe Bullgarinë

  • 03 June 2019 - 20:10
Rashkaj optimist para ndeshjeve me Malin e Zi dhe Bullgarinë

Bashkë me Vedat Muriqin, në konferencë para gazetarëve para ndeshjeve kualifikuese për “Euro 2020”, është shfaqur edhe Anel Rashkaj.

Si Vedat Muriqi, ashtu edhe Anel Rashkaj janë shprehur optimistë për ndeshjet me 7 dhe 10 qershor, që Kosova do t’i luajë në udhëtim te Mali i Zi dhe Bullgaria.

Rashkaj, që është rikthyer në Kombëtare pas disa vitesh, shpreson që “Dardanët” t’i marrin pikët e plota në këto dy takime.

“Nëse marrim parasysh ndeshjet e kaluara, duhet të jemi optimistë sepse ishin ndeshje mjaft të mira. Kundër Bullgarisë ishte ndeshje shumë e mirë, edhe pse munguan tri pikë. Nëse marrim parasysh ato paraqitje, duhet të jemi optimistë”, ka thënë mesfushori Rashkaj në një konferencë për media të hënën.

Ai ka thënë se është i lumtur që është kthyer te kombëtarja, duke shtuar se tash kualiteti është më i lartë se në kohën kur luante ai si kapiten.

“Është kënaqësi që jam sërish pjesë e këtij grupi”, u shpreh Rashkaj.

“Ka disa lojtarë të rinj që s’kanë qenë kur kam qenë unë, tani kualtiteti është më i lart. Shumicën e tyre e njoh edhe më herët. I kam përcjell të gjitha ndeshjet viteve të fundit. Më kanë pritur shumë mirë”.

“Është një grup shumë i mirë. Jo veç si futbollistë, por kanë karakter në nivel të lartë”, ka thënë më tej Rashkaj.

(Kosova Sot Online)