Dënimet e mundshme për kurdisjen e ndeshjes në La Liga

  • 04 June 2019 - 08:49
Dënimet e mundshme për kurdisjen e ndeshjes në La Liga

Kodi Penal i Federatës së Futbollit të Spanjës i parasheh disa ndëshkime të ndryshme për klubet dhe individët që zbulohet se janë fajtorë për kurdisjen e ndeshjeve.

Një numër i futbollistëve, si dhe presidenti i Huescas, u arrestuan të martën lidhur me rastin e hetimeve për kurdisjen e ndeshjeve në futbollin spanjoll.

Ndëshkimet për këto raste mund të ndryshojnë nga gjashtë muaj deri në katër vjet burg, gjoba që mund ta arrijnë shumën deri në 5.5 milionë euro e madje edhe pezullim nga futbolli për një deri në gjashtë vjet.

Klubet e përfshira në skandalet e kurdisjeve të ndeshjes janë në rrezik edhe të ndëshkimit me rënie nga liga, sipas nenit 75 në kodin disiplinor të Federatës së Futbollit të Spanjës.

Ndeshja e fituar 2-0 nga Valencia ka përfunduar nën hetim pas sinjalizimit të La Ligas, për shkak të shifrave të jashtëzakonshme të parave luajtur në tregjet e basteve në Evropë e Azi.

Sipas hetimit, marrëveshja nuk ka qenë mes klubeve, por mes lojtarëve të veçantë, që kishin rënë dakord që të përfitonin shifra të mëdha për fitoren e Valencias.

Përmes një deklarate për shtyp, Valencia e shpalli veten të pafajshme dhe pa asnjë lidhje me këtë histori, ndërsa ka kërcënuar me masa ligjore mediat që abuzojnë me lajme të tilla.

Pak a shumë të njëjtën komunikatë ka publikuar edhe Valladolid, që ka premtuar bashkëpunim të plotë me organet hetuese. 

(Kosova Sot Online)