Zyrtare: Luka Jovic në Real Madrid

  • 04 June 2019 - 14:04
Zyrtare: Luka Jovic në Real Madrid

Vera e ngarkuar e Real Madridit gjatë afatit kalimtar tashmë ka filluar, pasi që të martën u zyrtarizua transferimi i Luka Jovicit nga Eintracht Frankfurti.

Sulmuesi serb i Eintracht Frankfurtit ka nënshkruar kontratë gjashtëvjeçare me klubin madrilen. Jovici kishte qenë i huazuar për një sezon nga Benfica në Frankfurt, ndërsa verën e kaluar klubi gjerman e bleu atë për gjashtë milionë euro.

Transferimi i tij në Santiago Bernabeu beoshet se e kap shifrën prej 60 milionë eurosh dhe 30 për qind e kësaj shume do të shkojë nga Real Madridi në Benfica. 

Edhe pse ai është vetëm 21-vjeçar, Jovici shkëlqeu këtë sezon edhe në Gjermani, edhe në Evropë. Gjatë ndeshjeve të zhvilluara, ai i shënoi 27 gola dhe i regjistroi edhe shtatë asiste të tjera.

Shumë klube të tjera ishin të interesuara për shërbimet e Jovicit, megjithatë Real Madridi është klubi që arriti t’i sigurojë këto shërbime.

Pasi që Eder Militao dhe Rodrygo tashmë janë transferuar dhe Eden Hazardi e Ferland Mendy pritet të zyrtarizohen së shpejti, afati kalimtar i kësaj vere ka qenë mjaft i ngarkuar për Real Madridin qysh para se të hapet zyrtarisht.

(Kosova Sot Online)